Disa nga furrtarët në Maqedoninë e Veriut vendosën të rrisin prodhimin e bukës dhe ta shesin për 33 denarë, pasi që Qeveria vendosi këtë kufi të çmimit.
Ata kanë sjellë këtë vendim duke hequr dorë nga vendimi i fundit për të mos prodhuar bukë, për shkak të masës qeveritare.
Zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje ekonomike dhe investime, Fatmir Bytyqi ka përshëndetur këtë vendim.
“I përgëzoj dhe falënderoj ata furrtarë që guxuan dhe vendosën me përgjegjësi të qëndrojnë në krah të qytetarëve. Më vjen mirë që shembuj të tillë ka gjithnjë e më shumë. Qeveria subvencionoi kompanitë dhe qytetarët në sektorin e energjisë elektrike për t’i mbrojtur ata nga ndikimi i krizës energjetike dhe nga rritja e shpenzimeve. Ne ndihmojmë për të siguruar funksionimin normal dhe jetën e përditshme. Qëllimi i subvencioneve nuk është dhe nuk mund të jetë rritja e fitimit në kushte krize”, deklaroi Bytyqi. (INA)