Bursa e tregut presidencial

0

Titulli i shkrimit është sa ironik, sarkastik, cinik mirëpo fatkeqësisht dhe real. Tashmë zgjedhjet parlamentare, zgjedhjet lokale, zgjedhjet presidenciale dhe të gjitha zgjedhjet politiko-partiake janë kthyer në fushata marketingu me kurse valutore. Njësoj si bursa e Nju Jorkut ashtu edhe tek ne, ka përditë luhatje të valutës derisa shpallet fituesi.

Ana aspak e mirë e kësaj historie është që votat shikohen si valuta, si pare, si monedha. Varet se çfarë çmimi i vendos votuesi verdiktit të tij nëse vërtet kanë mbetur më njerëz që shesin lirinë e tyre, pasi nuk mendoj se ka shumë që po qëndrojnë në treg gati të blihen. Por promotorët e vërtetë të këtyre aferave janë vet partitë politike që e çojnë vëmendjen ndaj marrëveshjeve në tavolinë, ndaj pazarave “më jep-të jap”. Kështu pafilluar ende mirë fushata, prej tash janë hedhur në terren pyetje të tipit: Çfarë do ndodhë në raundin e dytë të zgjedhjeve?! A po mos ndoshta vallja është caktuar shumë më përpara se të ftohen dasmorët? Të gjitha këto hamendësime janë pjesë e një fushate të mirëmenduar, të një strategjie e cila funksionon prej vitesh në vendin tonë të varfër e qyqar!

Rasti i kandidatit që mbështesim ne, z.Blerim Reka, ka rritur frikën e partive të vjetra, pasi si asnjëherë tjetër shqiptarë, maqedonas, turq, bullgarë, boshnjakë, romë e egjiptian po duan të votojnë Blerim Rekën si President, sepse ai është Kandidati i Popullit. Nga ankthi se z.Blerim Reka është kandidatura më serioze, më intelektuale, më diplomatike, parti apo qarqe të njohura tashmë, që nuk kanë bërë një ditë të ndershme në politikë, kanë filluar diskutojnë të vrasin mendjen si të mposhtin këtë hata që mund t’ju ndodhë para syve?!

Ajo që më bën përshtypje të madhe është mungesa e madhe e respektit që kanë partitë e vjetra (si BDI-ja p.sh, nuk ka më plakë se ajo), pra mungesa e konsiderate ndaj popullit, ndaj votuesit! Kështu duke bërë supozime mbi “marrëveshjet presidenciale” injorojnë krejtësisht vullnetin e popullit, madje i thonë “rri urtë dhe bindu” duke pretenduar që nuk ka aspak rëndësi vota e tyre, rëndësi ka menaxhimi që i bëhet votës së tyre!

Kjo është një logjikë diktatoriale e cila sipas ndërkombëtarëve e ka shtëpinë prapa hekurave, por nuk e di se me cilin guxim vazhdon ende operon në shtetin tonë? Ju kërkoj ndjesë për agresivitetin e pyetjes, por: more çfarë e dini popullin?! Letër higjienike që pastroni mender buzët sa herë bëheni pis apo njerëz që i shisni për të blerë euro, miliona euro, vila lukzose, prona të tundshme e të patundshme?! Ende mendoni se keni të drejtë të bëni pazare në sy të popullit në emër të gjoja “konsensusit”?! Ndjej racionalisht dhe instiktivisht se janë përpjekjet e fundit të një grupi të dëshpëruar njerëzish të cilët qëndrojnë në vendin e gabuar!

Është pluhuri i fundit që kërkon të ngrejë një kalë tashmë i lodhur, plak e i rraskapitur, që jo vetëm nuk e ka dëgjuar të zotin, po e ka hedhur në tokë, e ka zvarritur me vite me radhë duke i shkaktuar plagë të thella! Ajo që më tepër pres është largimi imediat i të gjithë atyre individëve të cilët me pushtetin kanë rritur arrogancën e tyre, që dyshohen se janë të implikuar në krime të shumta, që dihet publikisht se kanë aurat e të fortëve, që besojnë se ekzistenca e tyre është 100 fish më e rëndësishme se ajo e të vdekshmëve të zakonshëm! Kthehemi edhe njëherë tek Zgjedhjet Presidenciale. Populli është i qartë për aftësitë e tij vendimmarrëse, dhe mbi të gjitha është sovran!!! Mos bëni pazare duke injoruar fuqinë absolute të popullit!

Duke shtruar dilema se si e qysh do të veprojë Pendarovski apo Reka, duke zhvilluar dhënie-marrje votash në emër të popullit! Nuk e di për kandidatët e tjerë, nuk e di nëse mendojnë se kanë të drejtë të bëjnë pazare partiake me votat që kërkojnë kinse në emër të parimeve të një presidence të mirë, por z. Blerim Reka qartë e saktë ka deklaruar që është vetëm në shërbim të popullit. Madje ndaj e mbështes dhe e sugjeroj si President, pasi mendoj se e mira e z.Reka është se duket i vetmi që e ka vendosur veten në funksion të popullit.

Duket se e di ekuacionin e pushtetit në shtetet demokratike, ku i pari vjen populli, ekuacion të cilin pushtetet në Maqedoninë e Veriut e kanë zgjidhur kaq keq, sa tashmë prej vitesh është krijuar një disbalans i jashtëzakonshëm midis një klase të vogël, por shumë të pasur, dhe asaj shumë më të madhe që ja duan të ikin ja tashmë kanë ikur! Nga mungesa e pushteteve të drejta në vendin tonë ka vetëm një ndarje të qartë, evidente si drita e diellit, dhe ajo nuk është etnike, as fetare, jo! Ndarja më e thellë dhe e vërtetë është Politikanë të Pasur-Popull i Varfër!

Ky është madje subjekt që meriton konspekt të veçantë nga të bërat që janë shkruar me lotët e njerëzve, mirëpo paturpësia vazhdon dhe kjo mu në zgjedhjet presidenciale! Këta politikanët boss-a që kanë zhveshur popullin nga xhepat dhe dinjiteti, tashmë e konsiderojnë si një instrument që mund ta luajnë si të duan, kur të duan! Sipas këtyre, populli nuk është vetëm i varfër, por edhe budalla që Zoti i faltë e drejtësia foltë! Harrojnë se ky popull po i shkul si barishte të egra këto shefat e politikës, se kopshtarët e huaj po marrin në duar lendinat tona, dhe bimët helmuese që kanë vyshkur e mbytur qindra e mijëra fate, ngjyra, ëndrra, nuk i toleron! Fundi po afrohet dhe bëhet gati të trokasë në dyert e këtyre të pronarëve të gjërave të gabuara, pronarëve të popullit, të cilët në jetë të jetëve kanë pasur funde të hidhura!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)