Buxhovi ka një mesazh për politikanët shqiptarë në Ballkan!

INA
INA

17/02/2024

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot” historiani Jusuf Buxhovi ka folur mbi historinë e Kosovës, pavarësinë, problemet me serbët, asociacionin e deri te marrëdhëniet me SHBA-në.

Ai ka thënë se Pavarësia e Kosovës është e arritura më e madhe e këtij shekulli, duke theksuar se është fryt sakrificës dhe luftës së disa brezave.

Por, sipas tij, edhe pas 16 vjetëve shteti dy kërkesa kryesore nuk ka arritur t’i përmbush: çlirimin ta përkthejë në liri të plotë në përputhje me idealin e atyre që u sakrifikuan për të, si dhe parlamentarizmin ta kthejë në demokraci.

Ai Kosovën e sheh edhe me problem të brendshme, madje edhe të mëdha siç është krijimi i asociacionit dhe çështja e objekteve të kultit të kishës ortodokse, ku sipas tij këto i kanë mbetur si gurë në qafë Kosovës sepse janë zbaritur shumë sa i përket përfundimit të tyre.Derisa, për bashkimin kombëtar, Buxhovi thotë se është se është e drejtë legjitime, por që Shqipëria si shtet, anëtar i NATO-s, e ka të ndaluar çfarëdo opsioni të bashkimit me shtet tjetër, kurse, edhe Kosova, në kushtetutën e saj, e ka nenin që e ka të ndaluar çfarëdo bashkimi.

Kurse, sa i përket marrëdhënieve me SHBA-të, historiani thotë se aleati ynë jetik janë SHBA-të, andaj ne duhet të jemi të kujdesshëm.

Sa i përket veprimeve në raport me veriun dhe Serbinë, Buxhovi thotw se Kosova duhet të jetë e koordinuar me SHBA-të dhe partnerët tanë perëndimor nga radhët e NATO-s.

Intervsita e plotë:

“Bota sot”: Jemi ne prag të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me sakrifica e shumë mund shqiptarët kanë ardhur deri këtu, si e shihni tash Kosovën, pas 16 viteve të shpalljes së Pavarësisë?

Jusuf Buxhovi: Shteti i Kosovës është e arritura më e madhe e këtij shekulli. Si i tillë, në njëfarë mase, përmbush idealin e rilindësve për një vilajet të përbashkët shqiptar nga katër sosh në kuadër të perandorisë osmane, që si Shqipëri Osmane, do t’ia hapte rrugën Shqipërisë Evropiane. Meqë ky projekt dështoi dhe Kosova me vendimet e Konferencës së Londrës mbeti nën pushtimin serb, megjithatë, Kosova ia doli që pas afër një shekull robërie të kthehet në histori nëpërmes shtetit të pavarur. Kjo e arritur historike është fryt i sakrificës dhe luftës së disa brezave: nga ata që nuk u pajtuan me pushtimin serb, të atyre që nuk lejuan stabilizimin e pushtimit (kolonizimin) dhe të atyre, që në rrethanat pas luftës së dytë botërore, ia dolën që shkallën e autonomisë siç ishte nga viti 1945 ( një ripushtim serb në rethanat komuniste), ta ngrisin në nivel të subjektit të federatës jugosllave në vitin 1974, prej nga pas rrënimit të saj me dhunë nga Serbia në mars të vitit 1989, nëpërmes konceptit të rezistencës instititucionale e deri te ajo e armatosur (nga viti 1990-1999), pas ndërhyrjes ndërkombëtare dhe protektoratit ndërkombëtar prej tetë vitesh, t’i krijohen rrethanat shtetit të pavarur, që do të shpallet më 17 shkurt 2008.

Pas gjashtëmbëdhjetë vitesh, Kosova, ndonëse shtet i pavarur, nuk ia ka dalë që t’i përmbush dy kërkesat kryesore: çlirimin ta përkthejë në liri të plotë në përputhje me idealin e atyre që u sakrifikuan për të, si dhe parlamentarizmin ta kthejë në demokraci. Si çështja e parë dhe çështja e dytë kanë për pasojë sjelljen e papërgjegjshme të elitave politike që shteti të mos shikohet si një përgjegjësi historike në shwrbim të qytetarëve, por si pronë private për të përmbushur ambiciet personale. Ky përcaktim ka sjell korrupsionin, nepotizmin dhe kapjen e shtetit nga grupe të caktuara, gjë që kjo ka ndikuar që Kosova si shtet të humbë prestigjin ndërkombëtar, ndërsa edhe nga aleatët të shihet me mosbesim. Kur kësaj i shtohen edhe problemet e pazgjidhura me komunitetin serb, siç është ajo e asociacionit, që duhet të përmbushet në përputhje me obligimet kushtetuese, atëherë bëhet edhe më e qartë tabloja e shtetit të Kosovës me probleme të shumtën të shkaktuara nga brenda, që janë brengosëse…

“Bota sot”: Shqiptarët kanë vuajtur shumë si popull për liri e pavarësi, a mendoni se historia njeh ndonjë emër meritor të këtij realiteti që gëzojmë sot?

Jusuf Buxhovi: Siç e ceka më lartë, shteti i Kosovës, që ka kaluar nëpër një proces historik që e njohim, pra nga pushtimi në ripushtim me gjenocide, etnocide, kulturocide me pasoja të rënda, është fryt i një sakrifice të përbashkët të atyre që nuk lejuan të jetësohen planet hegjemoniste serbo-mëdha nga pushtimi në vitin 1912 e deri te shpërbërja e ish Jugosllavisë në vitin 1991. Natyrisht se në këtë proces individë të caktuar kanë marrë përsipër rezistencën ndaj pushtimi serb, atij jugosllav në forma të ndryshme (lëvizjeve kaçake) dhe formave të tjera. Por, ajo që ka qenë vendimtare në këtë zhvillim, fillimisht ishte përcaktimi që të ruhet etnia shqiptare nga shpërnguljet, që pastaj të vazhdohet me shfrytëzimin e të gjitha mundësive për emancipim shoqëror, kulturor dhe politik në të gjitha rrethanat, me të cilat dëshmohet identiteti historik, ai kulturor dhe së fundit politik. Fillimisht ka qenë ideja për bashkim kombëtar që ka ushqye këtë lëvizje brenda përbrenda konceptit të irredentizmit ideologjik, në mënyrë, që nga mesi i viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, të zëvendësohet me atë të barazisë në federatën jugosllave, e manifestuar në demonstratat e viti 1968 dhe të rikofirmuara në atë të vitit 1981.

“Bota sot”: A mendoni se pavarësia e Kosovës e pengon idenë e procesit për ribashkim kombëtar apo i jep prioritet kësaj çështje?

Jusuf Buxhovi: Ideja për bashkim kombëtar është legjitime dhe e drejtë. Por, ajo duhet parë në përputhje me zhvillimet gjeostrategjike dhe gjeopolitike dhe të realiteteve kur tashmë kemi dy shtete të pavarura shqiptare. Nëse nga viti 1913 kur gjysma e kombit mbet nën pushtimin serbo-jugosllav bashkimi kombëtar ishte i drejtë, mund të thuhet se krijimi i shtetit të Kosovës, atë e nxjerr nga opsioni klasik. Krahas arsyeve gjeostrategjike që e ndikojnë, pra pengojnë, janë edhe ato gjeopolitike që e pamundësojnë. Meqë, Shqipëria si shtet, anëtar i NATO-s, e ka të ndaluar çfarëdo opsioni të bashkimit me shtet tjetër. Ndërsa, edhe Kosova, në kushtetutën e saj, në nen e ka të ndin një, e ka të ndaluar çfarëdo bashkimi (me Shqipërinë ose Serbinë). Këto, pra janë realitete që duhet pasur parasysh. Por, mbetet i hapur opsioni i unionit të dy shteteve shqiptare brenda çatisë evropiane dhe në përputhje me vullnetin demokratik të qytetarëve të saj, gjithnjë me miratimin e aleatëve perëndimor dhe assesi ndryshe.

“Bota sot”: Tash e sa vite kemi të bjëmë me Serbinë problematike dhe argesore, a kemi pasur qasje më të mirë ndaj saj apo duhet ndonjë ndryshim tani në këto kohë?

Jusuf Buxhovi: Kosova, si shtet i krijuar me ndihmën e aleatëve, ka detyrim që të zgjidh edhe çështjen e barazisë së pakicave (asaj serbe dhe të tjera) në përputhje me pakon e Ahtisarit, që janë pjesë e Kushtetutës sonë. Aty gjendet asociacioni i komunave si dhe statusi i kishës ortodokse serbe. I pari, pra asociacioni, duhet të ishte pa kompetenca ekzekutive. Ndërsa çështja e objekteve të kultit të kishës ortodokse, nga krishterimi i përbashkët, në saje të një çasje antihistorike të delegacionit të Kosovës, në të cilin kishte edhe historianë, arkeologë dhe kulturologë, e ku duket se pazaret politike e kanë ndikuar, objektet e krishterimit të përbashkët ortodoks (kishat dhe manastiret e shumta paleokristiane të ndërtuara përbën Dardani nga shekulli IV këndej, pra kur nuk kishte sllav në Ilirik), i mbesin në pronësi të kishës ortodokse serbe, me çka shqiptarët heqin dorë nga trashëgimia shumëshekullore e krishterimit ortodoks, së cilit i kishin takuar! Faktori i parë, pra asociacioni është deshtë të zgjidhet menjëherë. Ndërsa, bartja e pronësisë së manastireve nga trashëgimia e krishterimit të përbashkët, tek ai serb, krijoj një kurth për shtetin e Kosovës, që do ta mbajë përherë në kthetrat e hegjemonizmit serb meqë kështu, Serbisë iu dhanë “tapitë historike” mbi të cilat ngritet politike e Beogradit nga shekulli i kaluar e këndej, që solli edhe pushtimin e saj në vitin 1912. Të dy problemet, Kosovës i kanë mbetur si gur në qafë, meqë të parin e zvarriti pa nevojë, ne vend se ta aprovonte asociacionin më kohë dhe në përputhje me qëndrimet e kushtetueses, e ktheu në një pazar me Serbinë. Ndërsa çështja e objekteve të kultit, në vend se të zgjidhet me ligjin për religjionet, me ligjin për decentralizim, iu la në tërwsi Beogradit, me ç ‘rast u krijuan rrethanat për statutin e tyre eksterritorial në Kosovë. Këtu, pra, faji është i politikës së papërgjegjshme të Kosovës, e cila këto probleme i ka shikuar me mendjelehtësi dhe pse jo, edhe me pazare me Serbinë!

“Bota sot”: Kosova gjithmonë i ka pasur aleatë amerikanët, sot nga ta kemi kritikat më të ashpra, ku mendoni se qëndron problemi?

Jusuf Buxhovi: Kosova është shtet që e krijuan aleatët, në radhë të parë SHBA-të, natyrisht edhe në saje të përcaktimit tonë për liri, barazi dhe përkatësi perëndimore, ku shteti paralel dhe rezistenca e armatosur ishin aty të rëndësishme të saj. SHBA-të dhe Perëndimi hodhën bomba ndaj forcave policore dhe ushtarake jugosllave nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, me ç ‘rast Kosova u çlirua nga pushtimi njëshekullor serb dhe, me protektoratin ndërkombëtar, iu hap rruga shtetit të pavarur në vitin 2008. Në të gjitha fazat SHBA-të kanë udhëhequr procesin e mbrojtjes së Kosovës nga gjenocidi serb, po në të njëjtën kohë, kanë qenë edhe mbikëqyrës të rezistencës institucionale dhe asaj të asaj të armatosur nga viti 1998, në kuadër të konceptit: të politikës pa luftë dhe të luftës pa politikë. SHBA-të udhëhoqën me suksese edhe bisedimet e Vjenës nga viti 2004 që sollën edhe pavarësinë e Kosovës. Pra, aleati ynë jetik janë SHBA-të. Ka dy vite që kjo aleancë, nga politika të papërgjegjshme, është vu në sprovë të shumtën me demagogji që kanë të bëjë gjoja me mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës. Agresioni rus në Ukrainë, ka ndryshuar shumë raportet gjeopolitike, e me këtë edhe të Ballkanit në kuadër të sferave të interesit, ku Perëndimi, nuk lejojnë që Rusia të përhapë luftën këtu, duke shfrytëzuar Serbinë. Në këtë aspekt, politika e Kosovës duhet ta ketë më se të qartë se çfarëdo veprimi në raport me veriu dhe Serbinë, duhet të jetë i koordinuar me SHBA-të dhe partnerët tanë perëndimor nga radhët e NATO-s. Të tjerat mund të jenë aventura të rrezikshme. Siç u pa edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kosova për herë të parë u qortua nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe për mos koordinim. Do të jetë fatale për Kosovën, po qe se kjo do të kthehet në një “sprovë” të demonstrimit të “shtetësisë së Kosovës” në raport me SHBA-të!

“Bota sot”: Për fund, cili është mesazhi i juaj për politikanwt shqiptarë në përgjithësi sa i përket bashkëpunimit mes tyre?

Jusuf Buxhovi: Politikanët shqiptarë duhet ta kenë të qartë realitetin e dy shteteve shqiptare në Ballkan, si një e arritur e jashtëzakonshme, me të cilën u jepen fund planeve hegjemoniste sllavo-ortodokse dhe të tjera. Politikanët në Tiranë dhe Prishtinë duhet ta kenë të qartë se dy shtete shqiptare janë interes gjeostrategjik dhe gjeopolitik i perëndimit që duhet përkrahur gjithnjë. Andaj, këto realitete, duhet të shfrytëzohen që faktori shqiptar në rajon të luajë rol edhe më të madh, si pjesë e botës perëndimore dhe jo që t’i kundërvihet asaj me kapriço politike të modeleve të bajraktarizmave, feudeve dhe të tjerave. Shqiptarët në rajon, duhet të faktorizohen gjithnjë e më shumë, që të jenë ndikues të të gjitha zhvillimeve dhe jo krijues të problemeve…

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

ragmi mu

Mustafa konfirmon se ka marrë drejtimin e Preshevës, Arifin e quan shpifës

James O’Brien Xhejms O Brajan

O’Brien: Kam punuar si i ri në hetimin e krimeve të luftës në Srebrenicë, duhet të përballemi me të vërtetën

Drashkoviq-696x383

Drashkoviq: Me gënjeshtra, shteti serb nxiti urrejtje dhe histeri anti-shqiptare

republika serpska

Republika Sërpska miraton raport që e mohon genocidin në Srebrenicë

NATO

NATO, shtim forcash në dy vatra të nxehta ballkanike

Serbia mohon gjithçka, i paraqet si normale vonesat në kufi: I kemi forcuar kontrollet për të gjithë udhëtarët, po bëjnë panikë

ermina-lekaj

Shqiptarët mbeten pa deputet në Kroaci, Ermina Lekaj Prljaskaj nuk siguroi votat e duhura

eu-be-rusi ndikimi rus ballkan

Sondazhi i IRI-t: Shumica në Ballkan janë për në BE dhe kundër Rusisë, serbët s’duan BE dhe pro Rusisë

andrej plenkoviq hdz

HDZ fitoi zgjedhjet parlamentare në Kroaci

INFO

NA NDIQ