Çaji i “rusit” i bën për spital shqiptarët e Kosovës

0

Numri më i madh i pacientëve që kërkojnë trajtim në Kirurgjinë Plastike në QKUK, janë ata me djegie të ndryshme. E djegiet më të mëdha vijnë nga pakujdesia me ibrikët e çajit të zi, ndryshe i njohur si çaji i ‘rusit’. Klinika e Kirurgjisë Plastike në QKUK është e vetmja qendër referente për pacientët kosovarë që kërkojnë ndihmë për trajtimin e djegieve. Në këtë klinikë poashtu trajtohen edhe patologjitë e shuplakës së dorës, lëndime të ndryshme si dhe sëmundje kongjenitale tek fëmijët.

Në këtë klinikë bëhet trajtimi i tumoreve beninje dhe malinje në secilën pjesë të trupit. Një projekt që ka filluar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike është edhe rekonstruktimi i gjirit pas heqjes tek gratë të cilat kanë karcinoma dhe bëjnë amputimin e gjirit. Deri më tani janë kryer dy intervenime të tilla. Në këtë klinikë ka vetëm një sallë operative çka bënë që pacientët të presin deri në një muaj në mungesë të hapësirave për trajtim. Brenda ditës kryhen 4 deri 5 operacione. Gjatë muajit prill janë kryer 145 operacione, ndërsa në ambulanten specialistike janë kryer 680 shërbime. Mjekja Violeta Zatriqi thotë se numri më i madh i pacientëve që kërkojnë ndihmë në këtë klinikë, janë pikërisht nga djegiet. Ato ndodhin zakonisht nga uji i nxehtë, kur fëmijët prekin ose bien në kazanë me ujë të vluar e poashtu një numër i madh i pacientëve digjen edhe nga ibrikët e çajit. “Konsumimi i madh i çajit dhe nga pakujdesia, kemi shumë raste që vijnë me djegie nga ibrikët. Poashtu kemi numër të madh të pacientëve që janë punëtor të KEK-ut të cilët digjen nga rryma dhe në shumë raste kemi edhe amputime sepse janë djegie të thella”, deklaron doktoresha./BotaSot