Kapiteni legjendar i Kombëtares shqiptare të futbollit Lorik Cana ishte i ftuari special i emisionit “Ora e Betit” në Ora News, ku rrëfeu atë se si ai e ka parë paraqitjen e Shqipërisë në EURO2024.
“Sapo mbërrita në Hamburg dhe po e ndjek nga afër përgatitjen për ndeshjen e dytë. Po e ndjek pak a shumë si të gjithë ne që kemi mundësinë për ta ndjekur nga afër, sepse sigurisht që përjetohet ndryshe, pasi ndryshe e shikon në komunitet ku udhëton me ta apo me bashkë-kundërshtarët në avion. Sapo mbërrita këtu dhe shikoj që ka shumë kroatë, por ndeshja mbetet ndeshje”, u shpreh Cana.
“Unë nuk jam personi adekuat për t’u përgjigjur pasi nuk jam fare aty brenda, meqenëse përjetoj Evropianin nga jashtë, sigurisht duke iu uruar djemve tanë më të mirën, për ata me të cilët kam luajtur, apo kam kontakt, apo ish-lojtarë të ekipit kombëtar, me të cilët jemi organizuar me disa prej tyre për t’i ndjekur, por brenda në detaje nuk jam futur. Dhe në këtë rast ajo çfarë kam dëshirë të shikoj pak më ndryshe nga ekipi kombëtar është niveli i lojës, është dëshira dhe ambicia për të bërë diçka më shumë se sa thjesht të jemi këtu dhe nuk kemi arsye që të kemi një presion të mëtejshëm. Kemi vështirësine që jemi në grupin më të vështirë të këtij Evropiani, dhe në anën tjetër duhet të na lejoni që të luajmë sa më të çliruar”, deklaroi Cana.