Çdo votë për Edi Ramën, është votë për ta forcuar Serbinë në rajon e në Kosovë!

Nga prof.dr.Enver Bytyqi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha parmbrëmë në një TV të Beogradit se “Pas Lulzim Bashës qëndron Sali Berisha dhe ju e dini, e gjithë historia pas saj, nga veriu i Shqipërisë, me gjithë barrën e së kaluarës, por kjo është çështje e tyre. Dhe sigurisht që unë jam krenar që jam pengesa e tyre më e madhe sepse ata flasin hapur për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Dhe ata flasin hapur për këtë gjë dhe askush nuk reagon”!

Shumica e mediave dhe rrjeteve sociale e transmetuan këtë lajm, por disa medie të mëdha, KLAN TV, TOP Channel etj nuk e njoftuan këtë pjesw të deklaratës së Vuçiç. Ato lansuan vetëm pjesën ku ai shprehet për ruajtjen e tërësisë territoriale të BH. Donin ta paraqisnin si “paqësor” presidentin e Serbisë, edhe pse e dinë që ai ishte Goebelsi i Sllobodan Milosheviçit! Dhe kjo ndodh, sepse kryeministri Rama ka investuar në kurimin e imazhit të presidentit të Serbisë. Nuk ishte e paqëllimshme kjo. Ato që quhen TV kombëtare jo më kot censuruan lajmin dhe nuk dhanë esencën e deklarimit të kreut të shtetit serb. Qëllimi është të mbrohet Edi Rama nga opinioni publik. Sepse në atë deklaratë shpallet hapur mbështetja e Aleksandër Vuçiç për mikun e “vëllain” e tij, kryeministër në detyrë të Shqipërisë, Edi Ramën dhe armiqësia e kundërshtia e tij për zgjedhjen e kreut të opozitës, Lulzim Basha. “Prapa Lulzim Bashës, thotë Vuçiç, qëndron Sali Berisha! Dhe anasjelltas na lajmëron se prapa Edi Ramës qëndron Aleksandër Vuçiç! Thirrja e presidentit të Serbisë në këtë fushatë elektorale është: “Mos votoni ata që janë “për Shqipërinë e Madhe”, pra Lulzim Bashën! “Por votoni Edi Ramën”, bën thirrje ai! Dhe kë do të duhet të votojnë shqiptarët në këtë rast, mikun e Aleksandër Vuçiç, kryeministrin në detyrë, apo kundërshtarin e presidentit serb, pra Lulzim Bashën?!

Dukë shprehur hapur preferencën dhe jo vetëm preferencën e tij për zgjedhjet e së dielës në Shqipëri, Aleksandër Vuçiç i bën thirrje shërbimit të tij në Shqipëri që të angazhohet fort në përkrahje të Edi Ramës. Ai e di se nëse në zgjedhjet e 25 prillit do t’i fitojë opozita dhe Lulzim Basha dhe kjo është e padyshimtë, atëherë do të krijohet një koalicion dhe aleancë e ngushtë shqiptarësh midis tij dhe krerëve të rinj të institucioneve të Kosovës. Në këto kushte ndërpritet interferenca serbe në përçarjen e mëtejshme të politikës dhe institucioneve shqiptare. Por ndërpritet gjithashtu çdo mundësi për realizimin e projekteve serbe në Kosovë e në rajon. Ndaj lind pyetja, nëse Vuçiç voton për Ramën, ti shqiptari patriot kë duhet të votosh?! Mjafton ta zgjidhësh këtë dilemë dhe t’i japësh fund këtij regjimi që është vënë më shumë në shërbim të interesave serbe, sesa interesave shqiptare. E di se disa nuk pajtohen me këtë konstatim dhe këshillë. Dhe akoma më keq, ka disa që ende nuk besojnë në lidhjet e ngushta Vuçiç-Rama! Por faktet nuk mund të injorohen.

Rama dhe Vuçiç ndërtuan një aleancë të ngushtë në vitin 2014 për të qenë bashkë jo vetëm në marrëdhëniet bilaterale, por edhe ato rajonale. Ranë dakord që të punojnë së bashku për të zhbërë shtetin e Kosovës dhe ndarjen e territorit të saj. U pajtuan që iniciativat rajonale t’i implementojnë edhe kur ato nuk pajtohen me interesat e shqiptarëve e sidomos të Kosovës. U angazhuan që të veprojnë së bashku në çdo iniciativë dhe të mbrojnë njëri-tjetrin në çdo samit ndërkombëtar. U morën vesh që të rekrutojnë Hashim Thaçin përmes Baton Haxhiut dhe personalitete të tjera me qëllim realizimin e projekteve serbe në Kosovë e në rajon. E jo vetëm kaq! Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç e mbrojtën njëri-tjetrin nga çdo kritikë dhe “sulm” që atyre u vinte përmes politikanëve shqiptarë ose nga shtetarë të vendeve të rajonit e të Evropës. I mbrojtën idetë e njëri-tjetrit në kancelaritë perëndimore e në Rusi dhe ndikuan jo pak që të vihej në agjendën e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë ndarja e territorit shqiptar.

Edi Rama mori detyrën për përçarjen e faktorit politik shqiptar dhe e realizoi perfekt këtë mision, sidomos në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Ai ndonëse iu kundërvu me fyerje dhe akuza rrufesh opozitës dhe kundërshtarëve të tij në Shqipëri, Kosovë e gjetkë, kurrë, në asnjë rast në tetë vitet e qeverisjes së tij nuk e atakoi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Edhe në një rast kur Vuçiç glorifikoi Milosheviçin, thjesht dha një këshillë të përgjithshme, pa ia përmendur emrin mikut të tij në Beograd. Dhe në fund, Rama mori ndihma të llojit sarin të gazit lotsjellës nga Beogradi për të dhunuar pa mëshirë popullin e vet. Për të gjitha këto arsye dhe njëmijë arsye të tjera Edi Rama nuk duhet votuar më 25 prill. Vota për Ramën është votë për presidentin e Serbisë dhe interesat serbe në rajon e në Kosovë!