Çështja e targave ilegale, deputeti gjerman kritikon ashpër Bashkimin Evropian

Deputeti gjerman nga radhët e CDU-së, Knut Abraham, ka kritikuar ashpër mënyrën se si po trajtohet çështja e targave ilegale serbe nga Bashkimi Evropian.

Abraham ka thënë se është shumë i shqetësuar dhe i frustruar me atë se çfarë po ndodh në Kosovë.

“Kosova ka plotësisht të drejtë të vendos për ligjet brenda territorit të saj dhe kjo vlen për çështjen e targave. Problemi nuk është te targat, por tek Bashkimi Evropian që nuk ka një ide te qartë për të ardhmen evropiane të Kosovës. Pra kur mungon një strategji konkrete se çfarë të bëhet me Kosovën, atëherë lindin probleme të tilla si çështja e targave”, tha Abraham, për tëvë1.

E sa përket propozimit franko-gjerman, deputeti opozitar thotë se Kosovës duhet t’i garantohet perspektiva evropiane.

“Në propozimin franko-gjerman është kruciale që t’i garantohet Kosovës se në të ardhmen do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Nëse nuk përfshihet kjo çështje ne paketë, atëherë ky propozim nuk është i duhuri për Kosovën. Po e përsëris, problemi qëndron se po mungon një perspektive e qartë nga BE për Kosovën”, shtoi ai.

Politikani gjerman foli edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ai njoftoi se Gjermania është duke punuar aktivisht që ky proces të përfundoj me sukses.

“Unë po iu siguroj juve, se Gjermania është duke punuar fort që të bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën. Ne jemi ne kontakt të ngushtë me Presidencën çeke, dhe shoh se ka vullnet pozitiv që kjo çështje të përfundoj me sukses. Është e papranueshme se sa shumë ka zgjatur ky proces për qytetarët e Kosovës”, deklaroi deputeti gjerman.