Shkruan: Muhamer Pajaziti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se në Maqedoninë e Veriut nuk ka Ligj për përdorimin e Gjuhës Shqipe.
Ky konstatim është i saktë, për faktin se kompromisi është bërë në verën e nxehtë të 13 gushtit të vitit 2001, kur është firmosur Marrëveshje e Ohrit.
Ky dokument i ka dhënë primatin gjuhës maqedonase si gjuhë e parë dhe asnjëherë nuk mund të flasim për parimin e barazisë.
Pika e 6, paragrafi i 4 i Marrëveshjes së Ohrit i thotë se: Në tërë Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase.
Pastaj në pargrafin e 5 thuhet se: Cilado gjuhë tjetër të cilën e flasin të paktën 20 për qind e popullatës, po ashtu është gjuhë zyrtare, sikurse është arsyetuar këtu.
Me këtë dëshmohet se, gjuha shqipe nuk përmendent askund, por identifikohet me 20 për qindshin. Në disa raste kjo dispozitë u jep të drejta ta përdorin gjuhën e tyre amtare edhe komuniteteve më të vogla në vend.
Më pas, pasojat janë bartur tek Kushtetuta e Maqedonisë me amandamentimin e Nenit 7 si dhe tek Ligji për Përdorimin e Gjuhëve .
Duhet ta pranojmë se ka pasur një avasim të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni dhe sidomos në Kuvend dhe Qeveri.
Zbatimi i saj nuk ka funskionuar fare në sistemin e jurisprudencës dhe shumicën e institucioneve tjera të nivelit lokal dhe qëndror.
Neni 9 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve
Neni 9
(1) Në procedurat gjyqësore, administrative, ekzekutive, procedurat për ekzekutimin e sanksioneve, procedurat parahetimore dhe hetimore, procedurat penale dhe të kundërvajtjes, procedurat kontestimore dhe jashtëkontestimore, si dhe procedurat tjera para gjykatave, prokurorive publike, si dhe të gjitha organeve, trupave dhe institucioneve, zbatohet gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, si dhe gjuha që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabeti i saj.
Kjo dispozitë nuk është zbatuar fare edhe pse gjykatës shqiptarë në vendbanimet me shumicë shqiptare kanë mundur të bëjnë përpjekje për ta zbatuar.
Neni 8 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve
Neni 8 (1) Kartëmonedhat dhe monedhat, si dhe pullat postare do të përmbajnë simbole që e përfaqësojnë trashëgiminë kulturore të qytetarëve që e flasin gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabetin e saj.
Kjo dispozitë nuk e parasheh përdorimin e gjuhës shqipe në kartëmonedha, por vetëm simbolet që e përfaqësojnë trashëgiminë kulturore të qytetarëve shqiptarë dhe komuniteteve tjera.
Gjithashtu paragrafi 3 i Nenit 8, i cili ka të bëjë me uniformat e policisë, të zjarrfikësve, të shëndetësisë, nuk është zbatuar sa duhet.
Kjo është një dëshmi se Gjuha Shqipe duhet të avansohet me Ligj të veçantë dhe asesi të minimizohet nga Gjykata Kushtetuese dhe gjykatësit e saj me mentalitet komunist.
Shumë institucione shtetërore, pro edhe biznese private maqedone vazhdojnë ta injorojnë gjuhën shqipe, gjuhën më të lashtë në kontinentin evropian.
Edhe kur vendosin ta përdorin, e përbuzin duke e përkthyer me google translate. Sigurisht se kjo ndodhë për shkak të ngarkesave dhe motiveve të ndryshme nacionale dhe etnike.
Të gjitha këto janë fakte dhe kjo kjo është një pasqyrë se si trajtohet gjuha shqipe, e cila në bazë të një cope ligji të cunguar, të miratuar në vitin 2018 është zyrtare, por që deri tani asnjëherë nuk u trajtua si e tillë.
Shqipja nuk është e barabartë me maqedonishten sepse në aktin më të lartë juridik të shtetit nuk emërohet me emrin e saj të vërtetë si “gjuha shqipe” , por si “gjuha që e flasin 20 për qind e popullsisë!”.
Përderisa Evropa e gjen pasurinë e saj tek shumëllojshmëria e trashëgimisë si edhe në zotësinë për të mbledhur në gjirin e saj shtete me gjuhë, kultura dhe tradita të ndryshme,
Maqedonia e papërcaktuar dhe e ç’thurur në çdo pikëpamje të shtetëformësisë, ndjek trendet e diskriminimit dhe nacional-romantizmit të heshtur ballkanik.
Padyshim që gjuhët mund të trajtohen si mënyra perfekte komunikimi, të cilat arrijnë të bashkojnë dhe të krijojnë një mozaik të kultivimit të vlerave të përbashkëta. Kjo ndodhë në të gjitha vendet evropiane, por ne duket se si shtet jemi në një vagon tjetër.
Rasti i Kosovës
Ligji i Gjuhëve i miratuar nga Parlamenti i Kosovës, gjuhën e komunitetin serb i cili përbën rreth 4 për qind të popullsisë e ka përcaktuar si gjuhë zyrtare. Për veç në nivelin qendror, ky ligj si gjuhë zyrtare i llogaritë edhe gjuhët e popujve të cilët përbëjnë më shumë se 3 për qind të popullsisë në komunat e shtetit të Kosovës, pra në nivelin lokal. Ky ligj parasheh edhe shumë beneficione për pakicat kombëtare në shtet.
Nëni 7 i Kushtetutës së Maqedonisë
1. Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.
Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen.
Dokumentet personale të qytetarëve, të cilët flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, lëshohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj, si dhe në atë gjuhë dhe alfabetin e saj në përputhje me ligjin.
Cilido qytetar i cili jeton në njësitë e vetadministrimit lokal, në të cilën së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, në komunikim me njësitë rajonale të ministrive, mund ta përdorë cilëndo nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj. Njësitë rajonale kompetente për ato njësi të vetadministrimit lokal, përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari. Çdo qytetar në komunikim me ministritë, mund ta përdorë njërën nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari.
Në organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, gjuha zyrtare e ndryshme nga gjuha maqedonase, mund të përdoret në përputhje me ligjin.
Në njësitë e vetadministrimit lokal gjuha dhe alfabeti që e përdorin së paku 20% e qytetarëve është gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik. Për përdorimin e gjuhëve dhe alfabeteve, në të cilat flasin
së paku 20% e qytetarëve në njësitë e vetadministrimit lokal, vendosin organet e njësive të vetadministrimit lokal.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve
Neni I
(1) Në tërë territorin në Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.
(2) Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj.
(3) Në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj.
(4) Në njësitë e vetëqeverisjes lokale gjuha dhe alfabeti që e shfrytëzojnë së paku 20% e qytetarëve është gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik. Për përdorimin e gjuhëve dhe alfabeteve në të cilat flasin më pak se 20% e qytetarëve në njësitë e vetëqeverisjes lokale, vendosin organet e njësive të vetëqeverisjes lokale.