Çfarë i fali Albin Kurti Edi Ramës?

Nga Enton Abilekaj

Albin Kurti e përcolli me buzëqeshjen statike, karakteristike për një sforcim sizifian, gjithë shfaqjen me Edi Ramën në publik, pavarësisht se kryeministri i Shqipërisë tentoi të bënte një tjetër “provokacija” si ajo e Beogradit.

Këtë herë në mes të Prishtinës, gjeti akuzën që i shkonte më shumë për shtat dhe e konfirmoi veten me ironi, si vëllain e Vuçiç. “A jam pro serb, jam më shumë se kaq. Jam vëllai i Vuçiçit”, ishin fjalët e Ramës, që në fund rezultuan jo ironike, por strategjike, duke e shpjeguar veten si njeriu që e modernizon radikalizmin e Serbisë nëpërmjet vëllait që po mban afër. Dhe më në fund një kërkesë: “Më lini të jem vllau i dyve se mund t’ju duhem në të ardhmen”.

Sigurisht që Albini qeshte. Më shumë se si batutaxhiun e oborreve të kryeministrave, ai i Kosovës po mundohej t’i linte në mes të rrugës inkursionet bajate në formë por domethënëse në përmbajtje. Vëllazëria me Presidentin e Serbisë është po aq e qartë sa edhe arsyet e vërteta.

Nuk bëhet për të moderuar radikalizmin e Serbisë, spastrimi i Luginës së Preshevës me “genocidin administrative” që po ndodh, e përgënjeshtron Ramën. Vëllazëria me Vuçiç është një aleancë politike për të krijuar një binom stabiliteti.

Një binom që i bën të dy të domosdoshëm, nëse ikën njëri, prishet paqja, një binom që vlen vetëm për t’i çuar Perëndimit mesazhin se nuk ka paqe pa 2 liderët në fuqi.

Këtë po tenton Rama, por kjo marrëdhënie nuk mund të jetë kurrë e barabartë, binomi nuk mund të ketë ekuilibër. Vuçiç është i vetëmjaftueshëm, ai nuk ka nevojë për Ramën. Vuçiç ka fytyrën e radikalit në Serbi dhe të të moderuarit jashtë saj.

Perëndimi nuk mund ta zëvendësojë përsa kohë opozita është më radikale se ai, ndërsa serbët nuk mund ta zëvendësojnë përsa kohë ai i mbron më mirë se të gjtihë interesat e tyre kombëtare.

Rama në vetvete nuk është i pazëvendësueshëm. Të gjithë Kryeministrat përpara tij, por edhe opozita, janë po kaq pro-perëndimore dhe jokonfliktualë. Ai që e bën Ramën faktor të pakonkurrueshëm në botën shqiptare, është Vuçiç. Duke e mbajtur ai afër, duke u marrë ai vesh me të, duke dalë ai të bëjë thirrje përpara zgjedhjeve të 25 prillit që të mos kthehet Berisha se destabilizon rajonin, Edi Rama merr një vlerë stabiliteti në sytë e Perëndimit.

Rama do të jetë pjesë e këtij binomi të çekuilibruar për sa kohë është i pakonkurruar nga një tjetër politikan shqiptar që t’i vijë nga pas Vuçiçit dhe për sa kohë Presidenti serb do vendosë ta konsiderojë atë si partnerin e vetëm në botën shqiptare.

Eshtë kjo varësi e Ramës nga vëllai serb, shkaku kryesor i ecjes më shpejtësi të iniciativës së Novi Sadit, që u quajt minishengen dhe sot quhet Ballkan i Hapur. Është kjo varësi që e detyron Ramën të bëjë lobistin e Vuçiçit nëpër Perëndim, në momentin kur presioni mbi Serbinë është më i madh se kurrë. Është kjo varësi që e detyron Ramën ta nxjerrë Kosovën si delen e zezë, për të treguar se ai është i vetmi shqiptar i pushtetshëm që e kupton projektin “paqësor” të Ballkanit.

Nëse Ballkani i Hapur, nuk garanton zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe të Kosovës, nëse ndihmon ekspansionin ekonomik serb dhe e përcakton Serbinë dhe si rrjedhim Vuçiçin si polin e vetëm ekonomik dhe politik të rajonit, kjo sjell më shumë pushtet edhe për vëllain shqiptar. Nëse garanton qëndrimin në pushtet deri në 2030, siç e ka shpallur ambicien, Rama është i gatshëm të ofrojë në tavë Shqipërinë dhe, aq sa mundet, edhe Kosovën.

Këtë e bën me propagandë të vazhdueshme, pikërisht atëherë kur gjithë projektorët janë të drejtuar nga ai dhe ata që e kundërshtojnë mbeten në errësirën mediatike të investuar prej 9 vjetësh. I tillë ishte momenti i Prishtinës, projektorët ishin të drejtuar nga Rama. Me ndryshimin që një ndër kundërshtarët më të mëdhenj, nuk ishte në errësirë, por njësoj në qendër të vëmendjes. Ishte momenti oportun që kundërshtia të merrte një zë të fortë. Në vend të saj, pamë një buzëqeshje të stampuar aq keq, sa dukej si vizatim i Edi Ramës.