Çfarë janë kandidatët e mirë në zgjedhje?

0

Preç Zogaj

Komisioni i vlerësimit të kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkish në Partinë Demokratike po çon drejt përfundimit listën që do t’i paraqitet anëtarësisë për votim me parimin një anëtar një votë.

Ky është vlerësimi i dytë pas të parit, me të madhit, që pati marrë në shqyrtim tremijë e nëntëqind kandidatë të propozuar nga seksionet e Partisë Demokratike në mbarë vendin, duke kualifikuar për të vazhduar më tej rreth njëmijë syresh.

Në seleksionimin e dytë Komisioni ka nxjerrë nga njëmijëshja treqindën që do t’i nënshtrohet votimit.

Stafeta tani i kalon anëtarësisë, që do të vazhdojë me votë negative të fshehtë shkurtimin e mëtejshëm të listës për t’i lënë radhë Kryesisë së PD që do të marrë vendimin përfundimtar.

Pa hyrë në hollësira, vetëm duke e vështruar nga jashtë, ky proces me pesë etapa, që janë në vetvete pesë provime apo pesë filtra për çdo kandidat, nxjerr në pah punën dhe përkushtimin e madh të komisionit prej pesë anëtarësh që mori përsipër të zbatonte në fazat më delikate e më të ndjeshme të procesit një model të paprovuar më parë nga asnjë parti në vendin tonë. Madje as në Europën kontinentale ku po zbatohen gjithnjë e më gjerësisht modelet e thjeshta të primareve- anëtarët votojnë kandidatët që vetkandidohen në bazë të disa kritereve që vendos partia- ose kryetarët e partive marrin përsipër autorësinë e plotë të listës së kandidatëve shoqëruar me klauzolën e dorëheqjes në rast humbjeje.

Efikasiteti i modelit të ndërmjetëm që ka përshtatur PD mbetet për t’u verifikuar në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Ajo që mund të thuhet në këtë fazë është se anëtarët e komisionit, jo vetëm ofruan një shërbim të çmuar për Partinë Demokratike, deputetë dhe zyrtarë të lartë të së cilës kanë qenë katër prej tyre, por bashkë me zonjën Papa kanë bërë sipas mendimit tim një shërbim tjetër po aq të madh: me autoritetin, integritetin, profesionalizmin dhe të qenët jashtë konfliktit të interesit ata kanë ndikuar e vijojnë të ndikojnë për të zbutur ndjeshëm reagimet e natyrshme të atyre që eliminohen, për rrjedhim uljen e kostos së pakënaqësisë së tyre. Nuk ka dyshim se ka prej këtyre kandidatëve që nuk janë pajtuar menjëherë e do të vazhdojnë të jenë të mërzitur që janë skualifikuar, por kur mendojnë se numri i të propozuarave ka qenë i madh, se vetë kandidimi ka qenë dhe mbetet një nderim për ta, se nuk ka rrugë tjetër veç skualifikmit për të arritur të lista përfundimtare, se fitorja e zgjedhjeve është interesi i përbashkët madhor i demokratëve, se marrja e pushtetit hap perspektiva të sigurta angazhimi në shumë poste politike shtetërore për të gjithë ata që përmbushin kriteret, shumica dërmueseve e të mërziturve e hedhin pas krahëve hatër mbetjen. Mendoj se në këtë paqtim të shpirtrave ka ndikimin e vet të veçantë edhe integriteti i komisionit.

Si përfundim, Kryesia e Partisë Demokratike dhe kryetari Lulzim Basha do të kenë në dispozicion një listë kandidatësh të filtruar si asnjëherë tjetër. Është një premisë pozitive për të përzgjedhur më mirë se herë të tjera.

Por pikërisht këtu del në pah një problem me të cilin komisioni mund të merrej deri në njëfarë pike, por zgjidhjen dhe vulën e fundit e ka kryesia dhe Basha. Mbi të gjithë Basha, i cili pavarësisht ndërtimit të procesit me pesë faza, mbetet përgjegjësi numër një i listës.

Problemi mund të formulohet në formën e pyetjes “ çfarë janë kandidatët më të mire në zgjedhje”? Merret vesh se nuk janë për ti bërë dhëndurë apo nuse, siç thotë shprehja popullore; nuk janë për ti vendosur në tabelën e nderit, për t’u dhënë dekorata e tituj; nuk janë për t’i klonuar si popullin e ri të së ardhmes , siç do të thoshte, Michel Holebek, autori i romanit futurist “Ishulli i mundshëm”. Zgjedhjet janë më pak se kaq , por zgjedhjet kanë një specifikë. Kandidatët nuk konkurrojnë me formularë dhe dosje, siç konkurrohet për një vend pune, por me prani, pikësëpari me prani. Kandidatët më të mirë në zgjedhje janë ata që bashkë me përmbushjen e kritereve bazë galvanizojnë shpresën, mobilizojnë mbështetësit dhe zgjedhësit e zonës gri, marrin vota, “ shqyejnë” vota në kuptimin e aftësisë t’i marrë, përcjellë e mbrojtur pa firo ato mbrojtur në qendrën e votimit, në numërim dhe regjistrim. Kjo është e thjeshtë të thuhet me fjalë. Në praktikë, në terren kandidati që “ shqyen” votat është një specie politike e veçantë, asnjëherë në një prerje standarde, por në shumë prerje, sipas tipave, natyrës se zgjedhësve në zonën përkatëse, gjendjes së punëve aty. Partia dhe lideri i saj i njohin e duhet ti njohin mirë këto “specie”. Nëse në fazat paraprake seleksionuese janë në plan të parë kriteret, në fazën finale diferencën e bëjnë ata që marrin vota. Në fund të fundit zgjedhjet për këtë bëhen. Kush merr më shumë vota. Gjithçka tjetër i nën vendoset të qenit ose jo autokombajnë votash, siç thuhet. Kjo që po themi ka vlerë për listat njëqind për qind hapura, por edhe për të mbyllurat, nëse ndodh që shumica, për një arsye a tjetër e lë litarin jashtë, duke hapur bishtin e mbyllur kreun e listave. Në të gjitha zgjedhjet, sidomos në këto që kemi përpara, nuk ka vend për qoka e ndere, siç ka ndodhur në të kaluarën. Nuk ka vend as për eksperimente politike naive të natyrës puritaniste a eugjeniste, që janë jashtë natyrës njerëzore, nuk vlejnë në zgjedhje të lira dhe nuk i shkojnë Shqipërisë. Sot më pak se kurrë.

Në fillimet e demokracisë ishte kryesisht fryma që zhvendoste vota masive herë në një krah, herë në krahun tjetër. Në vitin 1992, për shembull, PD fitoi thellë në zgjedhjet politike të 22 marsit, rreth 67 përqind të votave proporcionale. Katër muaj më vonë, në zgjedhjet vendore të korrikut, rreth njëzet përqind e këtyre votueseve nuk votuan më PD, por PS dhe parti të tjera.

Me kalimin e viteve fryma erdhi duke e bjerrë, por rëndësia e kandidatit në zonë erdhi duke u rritur derisa ishte në fuqi sistemi mazhoritar i garës kokë me kokë. Më vonë në plan të parë doli organizimi për të mbërritur në ditët tona kur organizimi ka marrë formën e rrethimit të zgjedhësve nga PS, duke i mbajtur gjoja në lidhje të vazhdueshme, në të vërtetë nën presion të vazhdueshëm përmes listave të patronazhit që kanë në duar të ngarkuarit e PS në zona. Njëzet deri në tridhjetë zgjedhës secili. Këta ndjekin online pozicionin dhe humorin e zgjedhësve në ngarkim. Duke qenë në pushtet ofrojnë sipas rastit, premtime, ndere, lëshime, dhurata, lekë, kërcënime, të gjitha këto me qëllim që të mbajnë sa më shumë prej tyre në rresht. Në ketë mënyrë drejtuesit zonalë të PS e dinë pothuajse me saktësi sa vota kanë në kuti para se të numërohen. Në këtë sistem zgjedhjet kanë humbur magjinë e votës së fshehtë, befasinë e një vendimi autonom të zgjedhësve të lirë në kutinë e fshehtë. Zgjedhjet janë katandisur në aritmetikë. Unë nuk kam dijeni sa ligjor është “rrethimi” në këtë mënyrë i zgjedhësve me justifikimin e kontaktit të lirë me ta. Po gjithë ky mbulim është kundër lirisë së zgjedhjeve dhe lirisë në përgjithësi. Zvogëlimi i popullsisë dhe i numrit të votueseve i jep dorë kësaj aritmetikë, apo thënë ndryshe, mbajtjes në thundrën e organizmit të një numri të mjaftueshëm zgjedhësish për të shpresuar e synuar fitoren. Objektivi- direktivë i zotit Rama për të marrë tetëqind mijë vota apo shtatëdhjetë e katër deputetë është ilustrimi perfekt i kontrollit të zgjedhjeve.
Unë nuk e përjashtoi rikthimin e frymës, por mënyra si po organizohet PS dhe me strukturën e sotme të korpusit elektoral në vend, ku shumë e shumë njerëz e familje janë detyruar të bëjnë pakte të vogla me djallin për të mbijetuar, PD e ka jetike të nxjerrë përpara kandidatë që dinë të marrin votat e subjektit e jashtë subjektit dhe t’i mbrojnë ato deri në fund. /Gazeta Liberale