Çfarë ndodhë nëse njëra palë e bllokon procesin tash e tutje? Ja si përgjigjet Borrell

Shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell, pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të përqëndrohen në propozimin franko-gjerman, siç u prezentua në shtator të këtij viti.

“Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët janë pajtuar rreth masave për të shmangur eskalimin e mëtutjeshëm dhe të përqendrohen plotësisht, si një çështje urgjente, në propozimin për normalizimin e raporteve mes tyre, siç u prezantua në muajin shtator nga ndërmjetësit e BE-së dhe i përkrahur nga Franca dhe Gjermania”.

Ai theksoi se tash e tutje, cilado palë që tenton ta bllokojë procesin për normalizimin e raporteve në bazë të kornizës së propozimit, ndërmjetësuesit evropianë mund ta ndërpresin tërësisht procesin.

“Unë do ti ftojë palët në ditët e ardhshme për të diskutuar hapat e mëtejmë brenda kornizës së propozimit me qëllim t’i prezantoj rezultatet nga Grupi Special për Normalizimin me Kosovën dhe përditësimin mbi kapitullin 35 për Serbinë. Në rast të bllokimit nga njëra prej palëve, ndërmjetësuesi i BE-së mund ta ndërpresë procesin”.

Gjithashtu, ai ka garantuar se çështjet kyçe dhe prioritetet që lidhen me normalizimin do të adresohen në kontekst të propozimit nga BE-ja.

“Unë dhe përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të vazhdojmë ta lehtësojmë procesin për normalizimin e marrëdhënieve dhe t’i njoftojmë shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët rregullisht për progresin e arritur nga palët”.