Çfarë ndodhi mbrëmë në ballafaqimin trepalësh, Thaçi-Vuçiq-Mogherini

0

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, njëherish edhe Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Frederica Mogherini, mbrëmë, ka mbajtur takime të ndara me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq më pas edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas takimeve të ndara, është mbajtur edhe takimi trepalësh në nivel të larët, Kosovë, Serbi me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, shkruan lajmi.net.

Mogherini është deklaruar pas takimit duke thënë se palët të përmbahen me fjalët dhe veprimet që kundërshtojnë frymën e dialogut.

“Bashkimi Evropian pret që Serbia dhe Kosova të shpejtojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë që ka dialogu me normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve dhe aspiratat e tyre për BE.” u shpreh Mogherini në një komunikatë për media pas takimit.

Në diskutimet e saj me dy presidentët, Mogherini theksoi nevojën që dy shtetet kanë për të siguruar një mjedis të favorshëm për dialogun dhe të përmbahen nga fjalët, veprimet dhe masat që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit të marrëdhënieve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se, shteti i Serbisë në këtë takim ka përdoru diskurs agresiv dhe arrogant ndaj Kosovës.

“Diskursi ishte agresiv dhe arrogant nga Serbia ndërsa diskursi ynë ishte i argumenteve dhe i anës së drejtë për arritjen e një marrëveshje të balancuar që do të nënkuptonte njohjen reciproke dhe anëtarësimin në OKB dhe zëvendësimin e rezolutës 1244…..”, deklaroi ndër të tjera Thaçi, duke shtuar se është momenti i ballafaqimit ndaj kësaj ofanzive dhe pengese të Serbisë që sipas tij, është Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, është shprehur i rezervuar për këtë proces dhe se ka thënë që ky proces është mjaft i vështirë, por që sipas tij, Kosova duhet të punojë që të përfundoj ky proces i dialogut.

“Unë përsëri mbes me shpresë se me një përfaqësim edhe me një bazë më të gjerë politike Kosova do t’ia dalë”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është deklaruar pas takimin me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi se dialogu do të vazhdojë kur Kosova të tërhiqet nga vendimet e saj, siç i ka quajtur ai, të jashtëligjshme.

“Asnjëri prej nesh nuk do të paraqitet këtu derisa ata të nxjerrin vendime të jashtëligjshme,”, tha Vuçiq për RTS.

Vuçiq ka thënë se vendimi i Kosovës për tatimin shtesë mbi mallrat do të mbetet në fuqi dhe se Evropa nuk do të jetë shumë e shqetësuar në lidhje me këtë.

“Ajo që po ndodh nesër është e treta – evropianët po përpiqen të na nxjerrin jashtë rrjetit elektrik për Kosovën e Veriut, ilegalisht”, ka thënë më tutje Vuçiq.

Ai paralajmëroi gjithashtu për qëllimin e Prishtinës për të formuar një ushtri dhe për ta dërguar një garnizon drejt veriut, qe është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit dhe marrëveshjen me NATO-n.

Vuçiq ka folur edhe për formimin e ushtrisë së Kosovës dhe stacionimin e saj në veri, duke thënë se diçka e tillë nuk do të ndodhë.

“Unë thash se isha shumë i shqetësuar për këtë dhe thashë se nuk do të ndodhë, kjo është e gjitha që unë duhet tu them të gjithëve.” është shprehur Vuçiq.