Paracetamoli është një nga ilaçet më të përdorura pa recetë në botë. Sipas të dhënave të Universitetit të Oksfordit, vetëm në Mbretërinë e Bashkuar çdo vit shiten rreth 70 tableta paracetamol për çdo person. Shumë njerëz e përdorin për lehtësimin e dhimbjes së kokës, për simptomat e ftohjes apo gripit, megjithatë mjekët paralajmërojnë se përdorimi i tepruar ose i gabuar i tij mund të sjellë pasoja serioze për shëndetin.
Mjeku i mjekësisë familjare në Britani, Dr. Donald Grant, ka theksuar se marrja e tepërt e paracetamolit ose përdorimi i tij kur nuk është i nevojshëm ka pasoja të menjëhershme dhe afatgjata. Ai këshillon që paracetamoli të mos merret kurrë në sasi më të mëdha se sa doza e rekomanduar dhe të shmanget plotësisht nëse konsumohet alkool, pasi kombinimi i këtyre dy substancave mund të dëmtojë rëndë mëlçinë dhe të çojë deri në dështim të saj.
Dr. Grant shton se simptomat e mbidozimit përfshijnë verdhëzimin e lëkurës, të përziera, humbje oreksi dhe konfuzion mendor. Sipas të dhënave të Shëndetit Publik në Angli, çdo vit rreth 100.000 persona përfundojnë në spital për shkak të mbidozimit me paracetamol.
Paracetamoli duhet të merret në doza të përcaktuara sipas moshës dhe peshës trupore. Për të rriturit, rekomandohet të merren një deri në dy tableta prej 500 miligramësh çdo gjashtë orë, ndërsa nuk duhet të tejkalohen tetë tableta në ditë. Mjekët theksojnë rëndësinë e përdorimit të kujdesshëm të këtij ilaçi dhe nxisin qytetarët që të kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë nëse dyshojnë për mbidozim.