Çfarë porosie për Zgjerimin jep emërimi i hungarezit Trocsanyi, si Komisioner

0

Veton Surroi
Von der Leyen, me apo pa qëllim, i ka evituar deri tash përgjigjet në pyetjet se a mund t’i promovojë në Ballkan vlerat një person, i cili vetë i ka shkelur në vendin e tij.
Ka përsëritur vetëm se për Hungarinë zgjerimi shihet si proces i rëndësishëm dhe ajo beson se Trocsanyi do ta kryejë mirë detyrën e tij.
Disa thonë se edhe ajo nuk beson se kandidati nga Hungaria do të kalojë provimin në Parlamentin Evropian dhe do të refuzohet.Por emërimin e tij shumë diplomatë e shohin si dëshmi se Brukseli nuk mendon seriozisht për procesin e zgjerimit në 5 vjetët e ardhshëm.
Javën që shkoi, në Podgoricë të Malit të Zi, u zhvillua konferenca vjetore e organizuar nga Komisioni Evropian, me emrin “Ditët e Mediave Ballkanike”. Johanes Hahn, komisari i tashëm i BE-së, që merret edhe me procesin e zgjerimit e me këtë edhe me gjendjen e lirisë së shprehjes në këto vende si kusht për avancim në procesin e integrimeve evropiane, në momentin e fundit u desh ta anulonte pjesëmarrjen, por iu drejtua më shumë se 350 pjesëmarrësve me një mesazh të regjistruar më herët.
Ai përsëriti se vendet e rajonit të Ballkanit nuk mund të lëvizin drejt BE-së pa arritur edhe standardet në sundimin e ligjit dhe në lirinë e shprehjes. Premtoi ndihma për mediat e lira në rajon, pa të cilat, tha ai, nuk mund të ndërtohet një demokraci e mirëfilltë, e cila do të jetë kusht për integrim në BE, nga i cili Brukseli nuk do të heqë dorë.
Hahn nuk qe në gjendje të vinte në ngjarjen që vetë e kishte iniciuar, sepse atë ditë në afërsi të Brukselit, Ursula von der Leyen kishte mbledhur të gjithë komisarët e ardhshëm të BE-së në një takim të parë joformal për t’u njoftuar dhe nisur përgatitjet për atë që i pret.
Hahn për të tretin mandat me radhë do të jetë komisar. Nuk do të merret më me zgjerimin, por me buxhetin e BE-së.
Ndërsa pikërisht pasardhësi i tij që do të merret me zgjerimin, hungarezi Laszlo Trocsanyi ka zgjuar edhe reagimet më të ashpra.
Madje, në vetë këtë konferencë nga shumë analistë, ekspertë dhe gazetarë, emërimi i ish-ministrit të Drejtësisë së Hungarisë për komisar të zgjerimit u quajt si “halë në sy” për mediat e pavarura dhe shoqërinë civile dhe për vlerat demokratike.
Disa thanë se ky emërim do të ketë “efekt shkatërrues për procesin e zgjerimit” e disa të tjerë u shprehen se shpresojnë që Parlamenti Evropian do ta refuzojë atë dhe ai nuk do të bëhet komisar.
Nuk ka dyshim se Hungaria është në favor të zgjerimit, por ka problem me Brukselin pikërisht për shkak të kritikave rreth gjyqësorit, sundimit të ligjit dhe vlerave demokratike.
Presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në paraqitjen e kabinetit të saj përsëriti se Ballkani Perëndimor do të jetë prioritet i saj në krye të Komisionit Evropian në 5 vjetët e ardhshëm, por progresi në procesin e zgjerimit do të varet nga suksesi i vendeve të rajonit në afrimin me standardet evropiane.
Gjatë konferencës së gjatë për shtyp në Bruksel, ku paraqiti ekipin e saj të ardhshëm dhe prioritetet me të cilat do të merret Ursula von der Leyen më së shumti u përball me pyetjet pikërisht të lidhura me komisarin e ardhshëm për zgjerim dhe fqinjësi.
Pyetjet ishin drejtuar kryesisht rreth dyshimeve se a mundet një person, i cili në cilësinë e ministrit të Drejtësisë ka propozuar dhe miratuar ligje në shtetin e tij që shkojnë ndesh me standardet e BE-së, duke nxitur madje edhe procedura kundër Hungarisë nga Komisioni Evropian t’i promovojë këto vlera në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Aq më shumë pasi vetë Von der Leyen në disa raste në Bruksel përsëriti se vlerat evropiane dhe standardet e BE-së do të jenë kriteri kryesor për përparimin e vendeve kandidate drejt BE-së në procesin e zgjerimit. Ajo tha se, sa i përket Turqisë, ky shtet po largohet nga BE-ja gjithnjë e më shumë dhe nuk sheh ndonjë mundësi për hapje të ndonjë kapitulli në procesin negociator i cili është bllokuar. Por ajo tha se do të angazhohet për përafrim sa më të madh të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Se a mund të jetë i denjë një ministër i Qeverisë së Viktor Orbanit nga Hungaria t’i promovojë vlerat evropiane në rajonin e Ballkanit, kanë bërë që të shfaqet tash droja se ai mund të refuzohet nga Parlamenti Evropian. Madje disa analistë e kanë konsideruar emërimin e tij në këtë post si “provokim” ndaj BE-së dhe ndaj të gjithë atyre që në rajonin e Ballkanit angazhohen për promovimin e vlerave evropiane.
Në letrën drejtuar këtij komisari të propozuar, Ursula von der Leyen ka shkruar se nga ai pret që “Perspektiva Evropiane e Ballkanit Perëndimor ka ndihmuar në tejkalimin e ndasive historike, duke nxitur reformat domethënëse politike dhe ekonomike”. Ajo ka tërhequr vërejtjen se “ndërkohë ndikimi nga jashtë ka shënuar rritje domethënëse në rajon”.
Presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian ka shkruar se “është imperativ që të mbahet dhe forcohet progresi në pesë vjetët e ardhshëm, përmes një procesi të bazuar në merita për secilin vend kandidat, duke mbajtur perspektivën e besueshme për anëtarësim në të ardhmen”.
“Ju do të duhej të punonit për të përshpejtuar reformat strukturore dhe institucionale, me fokus të fuqishëm në themelet e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe reformat e fuqishme të administratës publike. Ju po ashtu do të duhej të mbështesnit të gjitha përpjekjet për luftë kundër korrupsionit në tërë rajonin dhe të mbështesnit përpjekjet drejt fqinjësisë së mirë dhe zgjidhjen e problemeve bilaterale”, ka shkruar në letrën për misionin e komisarit të ardhshëm të fqinjësisë dhe zgjerimit presidentja e zgjedhur Ursula von der Leyen.
Van der Leyen, me apo pa qëllim, i ka evituar deri tash përgjigjet në pyetjet se a mund t’i promovojë në Ballkan vlerat një person, i cili vetë i ka shkelur në vendin e tij. Ka përsëritur vetëm se për Hungarinë zgjerimi shihet si proces i rëndësishëm dhe ajo beson se Trocsanyi do të kryejë mirë detyrën e tij. Disa thonë se edhe ajo nuk beson se kandidati nga Hungaria do ta kalojë provimin në Parlamentin Evropian dhe do të refuzohet. Por emërimin e tij shumë diplomatë e shohin si dëshmi se Brukseli nuk mendon seriozisht për procesin e zgjerimit në 5 vjetët e ardhshëm.
Por shumë diplomatë dhe analistë pajtohen se duke ia dhënë pikërisht atij këtë post është dërguar një porosi se Brukseli nuk llogarit aq seriozisht në ndonjë rezultat konkret në procesin e zgjerimit, në të cilin kapitulli 23, që ka të bëjë me sundimin e ligjit, quhet si “nëna e të gjithë kapitujve”.
Ndoshta emërimi i tij mund të gëzojë disa liderë në rajon që kanë tendenca të sundimit autoritar, që e shohin si shembull të mirë kryeministrin e Hungarisë.
Shumë prej diplomatëve thonë se po të kuptohej më seriozisht procesi i zgjerimit nga Von der Leyen, ajo do t’ia kishte caktuar dikujt tjetër rolin e komisarit për këtë fushë.