Chelsea po vazhdon të jetë klubi më aktiv në afatin kalimtar të janarit.
Klubi londinez deri më tani ka nënshkruar me David Datro Fofana, Benoit Badiashile, Andrey Santos, Joao Felix dhe Mykhailo Mudryk dhe Noni Madueke,
Megjithatë, Graham Potter po dëshiron tani që të përforcohet edhe me një mesfushor qendror. Moises Caicedo është synimi, por Brightoni nuk e dëshiron shitjen e tij.
Sipas “Sport”, Franck Kessie po konsiderohet tani si një alternativë, nëse “Blutë” nuk ia dalin të nënshkruajnë me Caicedon.
Mesfushori nga Bregu i Fildishtë nuk është në planet e Xavit dhe një largim i tij duket i mundur.
Për të arritur më lehtë deri te një marrëveshje, mediumi spanjoll raporton se Chelsea është e gatshme të përfshijë Hakim Ziyechin në marrëveshje, e cila do të ishte një marrëveshje shkëmbimi.
Marokeni pati paraqitje të mira në Kupën e Botës “Katar 2022”, por me ardhjet e Mudryk dhe Madueke këtë javë, ditët e tij në “Stamford Bridge” duken të numëruara.
Në anën tjetër, pas kalimit të Memphis Depayt te Atletico Madridi, Barcelona ka hapësirë për të shtuar një sulmues në skuadër, e që ai mund të jetë Ziyech.