Chelsea prezanton gjermanin Tuchel në krye të pankinës

Ashtu siç pritej, Thomas Tuchel ka marrë vendin e Franck Lampard në pankinën e Chelseat, teksa ka qenë vetë klubi londinez që ka zyrtarizuar arritjen e marrëveshjes me trajnerin gjerman.

Në komunikatën zyrtare të bluve të Londrës njoftohet se trajneri Tuchel ka nënshkruar një kontratë 18-mujore me klubin e Chelseat, me opsion për rinovim edhe për të tjera sezone, nëse gjërat do të shkojnë mirë.

Chelsea e nisi sezonin me ish mesfushorin legjendar Franck Lampard, i cili u shkarkua paraditen e të hënës, pasi nuk po arrinte rezultatet e pritura në kampionat, pavarësisht investimeve të shumta në merkaton e verës.

Nga ana tjetër Thomas Tuchel drejtoi për dy sezone e gjysmë klubin e Paris Saint Germain, me të cilin shkoi deri në finalet e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, por u shkarkua në dhjetorin e vitit të kaluar.