Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se ka inkurajuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të pranojë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Përmes një postimi në Twitter, ai tha se ka biseduar me Kurtin për këtë çështje të martën.
“Një temë kyçe ka qenë partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, shkroi Chollet në Twitter.
Ai tha se me Kurtin ka biseduar edhe për çuarjen përpara të diskutimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Marrëveshja për krijimin e këtij asociacioni është arritur qysh në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja, por ajo nuk është zbatuar kurrë.
Zyrtarët në Kosovë thonë se nuk mund të krijohen asociacione njëetnike, ndërsa ata në Serbi këmbëngulin në formimin e Asociacionit të dakorduar.
Ambasada amerikane në Prishtinë ka paralajmëruar për datën 31 janar një diskutim për këtë asociacion, ku ka thënë se janë ftuar përfaqësues të shoqërisë civile, zyrtarë dhe politikanë të tjerë.