“Keni arritur shumë në tri dekadat e juaja të pavarësisë, ndërsa këtë e arritët edhe krahas zhgënjimeve kur dyert njëra pas tjetrës ju mbylleshin para jush. Me guxim dhe sakrificë e hapët derën për hyrje në NATO, ndërsa ne ishim përkrah jush kur hytë. Tani u hapë edhe një derë. Siç deklaroi para pak kohësh ambasadorja Angela Aggeler, në thelb të vendimit tuaj është populli juaj. Hapi i ardhshëm përpara drejt Bashkimit Evropian varet nga ju, dhe ta dini se SHBA-ja gjithnjë do të jetë me ju. Jam i bindur se përfaqësuesit e popullit do të veprojnë në interes më të mirë të vendit, dhe do ta çojnë përpara”, porositi për AIM, Derek Chollet, këshilltar në Departamentin e Shtetit të SHBA-së.
Chollet nënvizon se arritjet dhe rezistenca e Maqedonisë së Veriut janë inspirimi i vërtetë – ndërsa kjo flet shumë edhe për popullin e saj.
“SHBA-ja është krenare që është me Maqedoninë e Veriut derisa ajo i arrin me sukses qëllimet e përbashkëta. Për shumë vite, Maqedonia e Veriut ka qenë partnere e SHBA-së në fushën e sigurisë, ndërsa në vetëm pak vite tashmë është dëshmuar se është një aleate e fortë në NATO. Kryesimi i jashtëzakonshëm i OSBE-së i vendit, si një udhëheqës i vërtetë, në këto momente vendimtare është jetik për përpjekjet tona në luftën kundër përhapjes së dezinformatave nga Rusia dhe për të mbështetur Ukrainën. Së bashku kemi bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe sigurisë rajonale të energjisë. Ky është vetëm fillimi i një partneriteti të fortë që shkon përtej kufijve të vendeve tona dhe shtrihet në sigurinë rajonale dhe sfidat globale”, thotë Chollet.
Përkujton se më shumë se 30 vjet SHBA-ja dhe Maqedonia janë, siç thotë, partnere të palëkundura.
“Marrëdhëniet tona janë më shumë se fraza të thjeshta mbështetjeje dhe inkurajimi. Ne kemi investuar tek ju dhe do të vazhdojmë të investojmë tek ju për një arsye të thjeshtë: ne dëshirojmë që ju të keni sukses. Ne investojmë tek ju sepse forca, qëndrueshmëria dhe prosperiteti i vendit tuaj kontribuojnë në përmirësimin e të gjithëve ne. Dhe pikërisht për shkak të lidhjeve tona të qëndrueshme dhe interesave të përbashkëta, ne dëshirojmë që ju të siguroni të ardhmen tuaj si një shtet i fortë evropian. Kjo ishte porosia ime kur vizitova Shkupin në fillim të këtij viti, dhe përsëri muajin e kaluar kur mora pjesë në takimet e sekretarit të shtetit Blinken me kryeministrin Kovaçevski dhe ministrin e Punëve të Jashtme Osmani në Uashington. Dëgjova nga dora e parë për përpjekjet që po bën Qeveria juaj dhe qytetarët për të arritur qëllimet tuaja për integrimin euroatlantik. Ne i mbështesim fuqishëm këto përpjekje”, tha Chollet për AIM.
Këshilltari në Departamentin e Shtetit të SHBA-së më tutje thekson se të dyja shtetet janë shoqëri të fuqishme multientike, të përkushtuara thellë në vlerat e përbashkëta, duke përfshirë dinjitetin njerëzor dhe prosperitetin për të gjithë qytetarët.
“Si demokraci dinamike, ne zgjedhim përfaqësuesit tanë për të marrë vendime dhe për të bërë zgjedhje të vështira. Megjithëse procesi demokratik shoqërohet gjithmonë me mosmarrëveshje politike dhe shënjestrime, zgjedhja juaj nuk duhet të jetë në dëm të reformave kyçe dhe të sundimit të drejtësisë. Në fund, jam i bindur se përfaqësuesit e popullit do të veprojnë në interesin më të mirë të vendit dhe do ta udhëheqin atë përpara”, bën të ditur Chollet.