Chris Hipkins u betua të mërkurën si kryeministri i 41-të i Zelandës së Re, duke pasuar Jacinda Ardern e cila dha dorëheqjen papritur javën e kaluar.
Hipkins, 44 vjeç, është zotuar se do të fokusohet në ekonomi dhe të luftojë inflacionin.
Ai ka më pak se nëntë muaj për t’u përgatitur për zgjedhje të përgjithshme.
“Ky është privilegji dhe përgjegjësia më e madhe e jetës sime”, tha Hipkins në ceremoni. “Jam energjik dhe i emocionuar nga sfidat që më presin”.
Ceremonia e betimit u drejtua nga Guvernatori i Përgjithshëm i Zelandës së Re, Cindy Kiro, përpara miqve dhe kolegëve të Hipkins.
Carmel Sepuloni gjithashtu bëri betimin si zëvendëskryeministre e re. Ajo e uroi Hipkinsin dhe shprehu mirënjohjen për besimin e tij.
Hipkins shërbeu si ministër i Arsimit dhe Policisë nën kryeministrinë e Ardern. Ai u bë i njohur për publikun gjatë pandemisë COVID-19, kur mori një lloj roli menaxhues të krizave.
Jacinda Ardern ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministres së Zelandës së Re, duke thënë se nuk i ka mbetur shumë energji për të udhëhequr.
Njoftimi i Ardernit ka ardhur teksa sondazhet kanë treguar se partia e saj përballet me sfidë të vështirë në zgjedhjet e këtij viti, që mbahen më 14 tetor.