CIA “zbërthen” Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, ja lidhjet me jugosllavët

0

Amerikanët kanë publikuar të tjera dëshmi për zhvillimet gjatë regjimit komunist. Në dokumentin e sotëm po publikojmë një dëshmi të Aleko Bimlit, i cili e ka njohur Hoxhën gjatë studimeve në Korçë. Ai tregon për karakterin e tij dhe atë të Mehmet Shehut.

27 dhjetor 1954

Situata politike në Shqipëri

Një largim nga skena politike e Enver Hoxhës ishte përgatitur nga figura të kthyera nga BRSS në fillim të këtij viti, ku kishin kryer kurse të avancuara të procedurës politike e administrative. Këta persona e bindën atë të ndiqte parimin e “rregullit të grupit” në administratë e në qeveri; ata e kritikuan atë për të vepruarit në mënyrë autokratike si në çështjet publike dhe në ato partiake. Prandaj Hoxha e gjeti veten me shpatulla për muri dhe zgjedhja e tij e vetme ishte të bindej. Ai u detyrua të lëshonte një pjesë të pushtetit dhe tashmë është i destinuar të zhduket nga jeta e vendit. Më 24 korrik ai nuk u shfaq fare në një pritje në ambasadën polake në Tiranë. Duke mbështetur këto ndryshime në postet e larta qeveritare dhe me Mehmet Shehun si kryetar i Parlamentit, i cili konsiderohet si ‘basti më i mirë’ mes shqiptarëve, sovjetikët arritën me sukses të absorbojnë Shqipërinë në sistemin e tyre të vendeve satelitë të BRSS. Ndryshimet në qeveri janë pritur me indiferentizëm nga popullata pasi nuk kanë çfarë të presin nga komunizmi dhe çdo ndryshim u ndjell frikë e apati.

Besimi fetar

Feja më e pranueshme për regjimin komunist në Shqipëri është ajo myslimane, veçanërisht sekti bektashi, liderët e të cilit kanë plotësuar kërkesat e regjimit komunist. Autoritetet myslimane kanë hyrë në marrëveshje me shtetin me qëllim të ruajnë detyrat e tyre fetare. Kleri ortodoks fillimisht bëri njëfarë rezistence ndaj ndërhyrjeve të qeverisë në aktivitetin e saj pro tashmë ka hequr dorë dhe është pajtuar me kushtet e autoriteteve komuniste. Kisha katolike romane për arsye të prestigjit të madh që gëzon është dhe objektivi kryesor i goditjeve të regjimit komunist. Një tjetër arsye e persekutimit të krerëve katolikë është fakti se në disa kisha janë gjetur të fshehura armë që shumicën e rasteve ishin vendosur aty qëllimisht nga provokatorët komunistë. Kjo solli një fushatë të ashpër anti-katolike duke propaganduar se katolikët ishin një rrezik i vazhdueshëm për partinë, në shërbim të fuqive të huaja me qëllim nënshtrimin e Shqipërisë. Fushata është reduktuar disa aktualisht pasi me arrestimin At Gardini, që tashmë është në kamp të puëns së detyruar në Lushnje, regjimi Shehut i ka eliminuar pengesat e fundit për skllavërimin e kishës katolike. Pjesa e mbetur e tyre kanë rënë në marrveshje me qeverinë komuniste sipas së cilës katolikët ashtu si besimet e tjera paguhen nga shteti.

Situata ekonomike

Hidrocentrali elektrik Lenin në Tiranë gjendet në lindje të qytetit dhe merr ujin nga mali i Dajtit. Kapaciteti është 15 000 kë/orë. Makineritë e tij janë ceke e sovjetike. Dy centrale termike ekzistuese janë në funksion, me tre stacione transformatorësh dhe dy nën-stacione. Ato furnizojnë me energji Tiranën, Durrësin e Kavajën. Njëri ndodhet në veriperëndim të fushës së aviacionit në Tiranë me kapacitet 1000-2000 kë dhe tjetri gjatë rrugës Tiranë-Durrës me kapacitet 4000-5000 kë. Kombinati tekstil në Tiranë ndodhet në rrugën Tiranë-Gur i Bardhë, rreth pesë km larg qendrës së qytetit dhe nuk është përfunduar ende. Kombinati ka dy fabrika kryesore, njëra për prodhimet e pambukut dhe tjetra për leshra të tjera. Kombinati ka centralin e tij elektrik me kapacitet 5000 kë/orë. Drejtori është shqiptar dhe asistohet nga katër-pesë teknikë rusë. Makineritë janë të gjitha sovjetike por prodhimi është i ulët. Lëndët e para prodhohen në vend. Pambuku fillimisht përpunohet në punishten e Fierit dhe të Rrogozhinës. Kombinati do të ketë një linjë direkte që e lidh me hekurudhën rreth 7 km larg. Fabrika e çimentos në Vlorë është në një terren të ngritur rreth 1.5 km në juglindje të qytetit. Ndërtimi i saj nisi në maj 1951 dhe do të përfundojë në gusht 1954 me kapacitet 50 000 ton në vit. Fabrika ka një sallë të madhe me furrë rrotulluese, një ndarje me makineri shtypëse, një seksion për përpunimin e qeramikës, dhe një ndarje mekanike të pajisur mirë. Fabrika ka një central me dy turbina me avull që prodhojnë 5000 kë/orë. Ka dy vinça lëvizës, disa rripa transmetimi dhe ura metalike për të transportuar materialet nga një seksion të tjetri. Kur të nisë prodhimi 500 njerëz do të punësohen nën drejtimin e teknikëve sovjetikë.

Tetor 1962

Analizë e karakterit të krerëve të partisë nga i arratisuri Aleko Bimli

Jam njohur me Enver Hoxhën në shkollën klasike franceze në Korçë, ku ishte mësues i filozofisë morale në klasat e ulëta. Pas disa vitesh mësimdhënieje u përjashtua prej ideve të majta. E takova Hoxhën pesë vjet më vonë pasi u diplomova në shkollën franceze. Gjatë pushtimit dhe luftës jemi takuar pak, por jemi përshëndetur si të njohur, nuk kemi patur lidhje të ngushtë. Njëherë gjatë pushtimit, unë me ndihmën e dy rojeve të tij e strehuam Hohxën në një shtëpi të sigurtë në Korçë. Në 1946 e takova Hoxhën në Beograd për herë të fundit. Ai drejtonte delegacionin shqiptar që negocioi dhe nënshkroi traktatin e paqes miqësisë e bashkëpunimit mes Shqipërisë e Jugosllavisë. E shoqërove Hoxhën rreth një javë në shëtitjet në Jugosllavi (në Bosnje, Serbi, Kroaci e Slloveni). Prej atëherë e kam parë vetëm duke kaluar me makinë në Tiranë ose në parada në podium, informacionet e mëposhtme mbi Enver Hoxhën janë pjesë e opinioneve të mia dhe ato që kam dëgjuar nga miqtë e të njohurit. Që prej themelimit të partisë ai ka qenë gjithmonë numri një. Është i vetmi person që ka mbetur nga Komiteti i Parë Qendror i partisë, i zgjedhur në 1941 nga Miladin Popoviç. Popoviç dhe Dushan Mugosha themeluan, menaxhuan dhe u kujdesën për Partinë Komuniste shqiptare. Popoviç u vra në 1945 nga një shqiptar anti-komunsit i Kosovës. Hoxha ka qenë gjithmonë sekretari politik i partisë. Për pak kohë pozita e tij ishte në rrezik, kur Koçi Xoxe u bë sekretar organizativ i partisë në 1948. Në përgjithësi dhe veçanërisht këtu në Greqi njerëzit besojnë se njeriu që mban nën kontroll situatën është Mehmet Shehu, por unë nuk mendoj kështu. Situatën nën kontroll në Shqipëri e mban Hoxha, dhe Shehu është bashkëpunëtori i tij më i ngushtë. Diktatori i vërtetë mbetet Enver Hoxha ndërsa Mehmet Shehu është numri 2 i tij. Duke lexuar shtypin perëndimor nganjëherë të jepet përshtypja se Hoxha nuk është njeriu me dorën e hekurt, duke e përshkruar si me karakter të butë, por ai në fakt është njeriu më brutal dhe e di mirë punën e tij. Ashpërsia e Mehmet Shehut është vetëm në dukje më e madhe se e Hoxhës. Këto karakteristika janë thelbësore për një regjim totalitar. Por ne nuk duhet të harrojmë se paralelisht me këto cilësi Mehmet Shehu ka dhe mangësi; është kapriçoz, tepër agresiv dhe ka nevojë gjithnjë për të përmbajtur tërbimin e tij. Nuk di si të përmbahet. Ndërsa Hoxha është më shumë politikan dhe diplomatik. Hoxha ka treguar gjithë jetën është udhëhequr nga parimi “mat shtatë herë dhe prite njëherë”. Mehmet Shehu është tip emocional dhe sanguin. Hoxha e di ku janë kufijtë e një debati, ai nuk ka guximin e një ushtari të vendosur (siç është Mehmet Shehu) por ka guximin e një diplomati të talentuar. Enveri di se kur të përulet nga nevoja dhe kur të bëjë tolerime. Mehmet Shehu është ekstremist e i papërkulshëm, kurse Hoxha ka më shumë logjikë. Hoxha është i aftë të demonstrojë kënaqësi është kur është i inatosur me dikë. Hoxha është shumë i respektuar në parti dhe udhëheqësi i padiskutueshëm i vendit. Kjo jo vetëm prej meritave të tij por dhe prej kultit të individit që ai e kultivon prej vitesh në popull dhe në parti. Enveri si diplomati talentuar i shmanget përherë situatave të sikletshme. Për shembull, kur duhet të marrë vendime duke treguar orientim anti-popullor, ai di të shmanget dhe akuzon dikë tjetër (për shembull Mehmet Shehun) për ekzekutimin e masave anti-popullore. Gjatë gjithë karrierës së tij ai nuk është përfshirë me përgjegjësi të kësaj natyre. Në të gjitha rastet ai ka ditur të manovrojë duke u lënë të tjerë përgjegjësinë e ekzekutimit të masave të papëlqyera. Shembulli i ekzekutimit të Koçi Xoxes ishte dëshmi e aftësisë mjeshtërore të Hoxhës. Për shembull, në 1952 komiteti qendror diskutoi një nga problemet më të vështira, siç ishte problemi bujqësor. Hoxha ngarkoi Shehun të përgatiste raportin për masat, dhe si rezultat plenumi i partisë, sipas idesë kryesore në raportin e Shehut, vendosi t’i bëjë të ditur masave ‘kolektivizimin integral” të bujqësisë. Dhjetë ditë më vonë (sigurisht për arsye se kjo ishte vendim i Moskës) komiteti u bazua kësaj here në një raport të vetë Hoxhës për të dënuar fjalën ‘kolektivizim integral’. Në këtë periudhë partia po diskutonte përkeqësimin e luftës së klasave, dhe për të gjitha pasojat e përpjekjes anti-popullore (ekzekutimet pa gjyq, arrestimet masive, shkarkimi i punonjësve të dyshuar) Hoxha fajësonte Shehun, duke e fshehur qëllimisht veten e tij. Disa muaj pas kongresit të partisë u dallua përkeqësimi i luftës së klasave dhe Enver Hoxha u shfaq si shpëtimtari i popullit. Kur Hoxha si kryetar i partisë kishte propozuar krijimin e Byrosë Politike ai citoi Mehmet Shehun si “një nga udhëheqësit më të mirë, më të talentuar” .. por në të njëjtën kohë ishte një njeri që “ka nevojë për dikë që të përmbajë zemërimin e tij”.

Kur mendoj sot për Enver Hoxhën që njihja në shkollën franceze të Korçës, vras mendjen sesi një mësues kaq i parëndësishëm drejton sot fatin e Shqipërisë. Ai ishte një njeri i thjeshtë, por për hir të vërtetës duhet të them se ishte një mësues i papërfillshëm në Korçë në vitet 1937-1938, por ishte një njeri krejt i transformuar kur e takova përsëri në pyll si partizan. Ai kishte karakter, e impononte veten ndaj masave, ishte një demagog i lindur. Dinte të emociononte më mirë nga të gjithë partizanin e thjeshtë, komunistin e zakonshëm, fshatarin, bariun, gratë dhe të rinjtë.

Ashtu si çdo njeri dhe Hoxha kishte të metat e tij dhe ato mund të vërehen lehtë sot në Shqipëri. Hoxha është një megaloman, kulti i individit që ka krijuar i ka rënë në kokë. Ai nuk është më njeriu i kohës së pushtimit. Asokohe ai ishte i dashur dhe i kuptueshëm me njerëzit, ndërsa sot Hoxha e ka kthyer veten në një robot. Kam dëgjuar në Greqi se Hoxha është homoseksual. Disa njerëz në Greqi flasin me bindje këtë pasi thonë se ka kryer marrëdhënie me tregtarin e lëkurave Hari Samarxhiu, i cili ka emigruar këtu në Greqi në 1943. Unë as nuk mund të mohoj as nuk mund të konfirmoj imoralitetin e Hoxhës. Por gratë ishin pika e dobët e tij. Kur ishte mësues në Korçë ai njihej si “don zhuan”. Një nga të dashurat e tij Tanca Mishu (emri i vajzërisë Tanca Manu) jeton aktualisht në Selanik. Hoxhës i mundojnë ndjenjat fisnike. Ai ka vrarë bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë e madje nuk i është bërë vonë as për të afërmit e tij. Ka dënuar me vdekje kunatin e tij Bari Omari, një nga udhëheqësit e Ballit Kombëtar. Gjatë luftës kundër pushtuesit Hoxha ishte strehuar në shtëpinë e Bari Omarit (kjo gjatë luftës kundër pushtimit gjerman sepse gjatë kohës së italianëve Hoxha punonte në Tiranë) Enver Hoxha ka dënuar me vdekje Koçi Xoxe dhe shumë nga miqtë e tij të ngushtë të mëparshëm.

Shënim: Aleko thotë se habitej sesi ish-mësuesi i ri tashmë drejton fatin e vendit. Unë besoj se ka të paktën dy persona që i njoh personalisht dhe tregojnë detaje për imoralitetin e Hoxhës e aspekte të tjera të jetës së tij. Ata janë Ramazan Qosja, i lindur në Tiranë në 1920, i martuar me një fëmijë, emigruar në Greqi në 1956, jeton aktualisht në Nju Jork. Qosja ka qenë kambist valute dhe e njeh mirë Hoxhën. Tjetri është Loro Brahimi, rreth 60 vjeç. Në 1946 ose 1947 Loro ka qenë roje personale e Hoxhës kur ai vizitoi Parisin. Në 1948 Loro Brahimi u kthye në Shqipëri dhe në 1949 u arratis drejt Jugosllavisë, e më pas në Itali. Ai jeton sot me familjen në Paris dhe di gjithçka mbi Enver Hoxhën.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/