Përfaqësues politikë të komuniteteve pakicë joserbe në Kosovë, të cilët, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë hyrë në Kuvendin e Kosovës, do të mbështesnin – parimisht – cilindo mandatar për formimin e qeverisë së re, pavarësisht nëse do të vinte nga partia aktuale në pushtet, Vetëvendosje, apo nga partitë opozitare.
Disa nga ata, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, kanë kushte për mbështetjen e kandidatit të ri për kryeministër, ndërsa të tjerë nënkuptojnë mbështetje të pakushtëzuar për cilëndo qeveri.
Në bazë të 99 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti mori më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, përkatësisht 47 nga 120 vendet parlamentare – megjithatë, jo mjaftueshëm për të formuar qeverinë e vetme.
Sipas rezultateve preliminare, Partia Demokratike e Kosovës pritet t’i ketë 25 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 dhe koalicioni i mbledhur rreth Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës 8.
Këto shifra mund të ndryshojnë pas numërimit të votave me kusht dhe të diasporës.
Pas shpalljes së fitores në zgjedhjet e së dielës, Kurti tha se Vetëvendosja do ta formojë në mënyrë të pavarur qeverinë, që do të thotë se votat e komuniteteve pakicë mund të jenë vendimtare për zgjedhjen e saj.
Me shumë mundësi, e ashtuquajtura “qeveri e pakicës” do të formohej edhe nëse mandatar për kryeministër do të ishte dikush nga partitë aktuale opozitare, sepse për të zgjedhur një qeveri, duhen 61 vota.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, nga gjithsej 120 vende parlamentare në Kuvendin e Kosovës, 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë – prej të cilave dhjetë për komunitetin serb dhe dhjetë për komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë.
Kështu, komuniteti boshnjak i ka tri ulëse parlamentare, komuniteti turk dy, pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian (RAE) kanë nga një, një vend shtesë shkon për komunitetin nga radhët RAE që ka fituar më shumë vota, dhe një vend parlamentar i takon komunitetit goran.
Bazuar në rezultatet preliminare të zgjedhjeve, Lista Serbe – partia më e madhe serbe në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – fitoi nëntë ulëse parlamentare, ndërsa një e fitoi Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, ministër në Qeverinë e Albin Kurtit.
Kur bëhet fjalë për dhjetë vendet e garantuara për komunitetet e tjera joshumicë, Partia Demokratike e Turqve të Kosovës fitoi dy ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërsa, nga komuniteti boshnjak, Partia e Re Demokratike, Koalicioni Vakat dhe Bashkimi Socialdemokrat fituan nga një ulëse.
Nisma e Re Demokratike e Kosovës, që përfaqëson komunitetin egjiptian, fitoi një ulëse. Ky komunitet mori më së shumti vota nga RAE, kështu që Partia Liberale e Egjiptianëve fitoi një mandat tjetër parlamentar.
Gjithashtu, Partia e Ashkalinjve për Integrim fitoi një ulëse, Partia e Bashkuar Rome e Kosovës një dhe Partia e Bashkuar Gorane një.
Duda Bale nga Lidhja Socialdemokrate Boshnjake e Kosovës thotë se hyn në Kuvendin e Kosovës për t’i mbrojtur interesat e komunitetit boshnjak dhe se vota e saj e mbështetjes do t’i shkojë kandidatit për kryeministër që do t’i plotësojë kushtet e këtij komuniteti.
Një prej kushteve kryesore, sipas Bales, është formimi i komunës së Zhupës me shumicë boshnjake.(REL)