Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, pritet që në fillim të shkurtit të shtrëngojnë duart për partneritet qeveritar, njoftuan për “Sloboden Pecat” zyrtarë të lartë nga LSDM-ja.
Aleanca sot do të zgjedhë kryesinë e partisë dhe do të marrë vendim për fillimin formal të negociatave për hyrje në Qeveri, ndërsa LSDM më së voni deri të martën do të ketë takim me partnerët e koalicionit “me temën” e zgjerimit të shumicës qeveritare, përcjell INA.
Se cilat dikastere qeveritare do të jenë në “ofertën” do të varet edhe nga vendimi i Alternativës – nëse do të mbetet në Qeveri, nëse Aleanca bëhet pjesë e saj.
Për momentin, partia e Afrim Gashit është e mendimit se nëse Aleanca bëhet pjesë e qeverisë, çmimin për këtë do ta paguajnë LSDM dhe BDI, ndërsa Kovaçevski dhe Ali Ahmeti mendojnë se tre partitë duhet të heqin dorë nga një post ministror.
Sipas burimeve të gazetës, oferta për Aleancën është tre poste ministrore: LSDM të largohet nga drejtësia apo bujqësia, BDI nga ekologjia apo arsimi dhe Alternativa qoftë nga shëndetësia apo shoqëria informatike. Por Alternativa nuk dëshiron të heqë dorë nga asnjë departament, veçanërisht jo shëndetësia. Aleanca këmbëngul që ata të menaxhojnë departamentin e drejtësisë, për të tjerat do të bien dakord.
Pasi LSDM-ja të marrë miratimin nga Aleanca dhe leje nga partnerët e koalicionit, vendimi për hyrjen në Aleancë do të duhet të shkojë në Kryesinë Qendrore të partisë, e më pas takimi i Kovaçevskit dhe Taravarit. Edhe LSDM konfirmon se problem është Alternativa, ndërsa për njoftimin se mund të largohet nga Qeveria, nëse insiston të heqë dorë nga një ministri, thonë se do të jetë vendim i partisë së Gashit.
Nga LSDM theksojnë se Alternativa ka tre deputetë, ndërsa Aleanca nëse bëhet pjesë e qeverisë do të hyjë me tetë deputetë. Jozyrtarisht, Kovaçevski nuk dëshiron të mbetet pa Alternativën, aq më tepër që angazhimi i LSDM-së dhe i BDI-së është që të rrisin shumicën në vazhdën e ndryshimeve kushtetuese.(INA)