Derisa po vijon ulja e çmimit të derivateve të naftës, kompanitë për transportimin e udhëtarëve akoma nuk po shohin mundësitë për uljen e çmimeve të biletave.
Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) sot njoftoi sërish për ulje çmimi, ashtu që çmimi me pakicë i benzinës EUROSUPER BS-95 ulet për 1,00 denarë, ndërsa benzina Eurosuper BS-98, Dizeli dhe vaji ekstra i lehtë do të ulen për gjysmë denari. Ashtu që Dizeli ka shkuar në 1 euro, derisa ishte gati në 2 euro në kundërvlerë denarë në periudhën e rritjes enorme të çmimeve.
Megjithatë kompanitë dhe taksitë nuk po mendojnë fare për uljen e çmimeve.
Autoritetet thonë se çmimi i naftës dhe derivateve të tjera është ulur me shpejtësi në periudhën e kaluar, çka do të thotë se ka ardhur koha që shërbimet taksi dhe transporti ndërqytetës me autobus të ulin çmimet dhe tarifat e shtrenjta, të cilat u përcaktuan kur nafta dhe benzina ishin mbi 110 denarë për litër.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot përmes një pres konference njoftoi se vendi ka çmimet më të ulta të derivateve të naftës.
“Për vetëm një muaj, harxhimet jetësore për ushqim dhe pije janë ulur për 5.2%. RMV ka çmimet më të lira në rajon për ushqimet dhe derivatet e naftës. Edhe pse çmimet e derivateve janë të bursës, Qeveria kishte hapësirë që me përqindje të konstatojë dhe të ndikojë ndaj çmimeve siç janë dogana, TVSH-ja dhe të dhënat tjera” njofton Bekteshi.
Ai pajtohet se gjatë periudhës së kaluar në mënyrë të ndjeshme janë ulur çmimet e derivateve të naftës, që do të thotë se ka ardhur koha dh shërbimet e taksive dhe transporti urban i autobusëve t`i ulin çmimet e tarifave të tyre. Sipas tij, për krijimin e politikës së çmimeve në këtë veprimtari, kompetente është Ministria për Transport dhe Lidhje.(INA)