Çmimin Nobel për letërsi e fiton shkrimtari që ka mbështetur Millosheviqin

0

Çmimi Nobel për Letërsi për vitin 2019 iu dha austriakut Peter Handke. Ndërsa për vitin 2018, ky çmim iu dha shkrimtares polake Olga Tokarczuk. Lajmi sapo u njoftua në Twitter nga “Nobel Prize”. Shkrimtarit austriak Peter Handke, çmimi iu akordua me motivacionin “për një punë me ndikim e cila, me mjeshtëri gjuhësore, ka eksplozuar konturet dhe veçantinë e eksperiencës njerëzore.” Shpallja e laureatit të sivjetmë të “Nobelit” për letërsi, shkrimtarit austriak Peter Handke, ka nxitur jo pak reagime. Kaherë ai qe rreshtuar përkrah regjimit të Slobodan Millosheviqit përderisa kishte dalë hapur kundër bombardimeve të NATO-s më 1999. Ndër të tjera, ai popullin serb e kishte përshkruar si viktimë dhe jo një herë ka vizituar enklavat serbe në Kosovë. Më 2007, në Hoçë të Madhe kishte ndarë 50 mijë euro në ndihmë të tyre. Ndër të tjera, më 2006, ai kishte marrë pjesë në funeralin e Millosheviqit dhe kishte thënë: “Nuk e di të vërtetën. Por shoh. Dëgjoj. Ndjej. Dhe mbaj mend. Kjo është arsyeja pse jam sot këtu, afër Jugosllavisë, afër Serbisë, afër Slobodan Millosheviqit”.