Pas fitores së “San Siros” ndaj Milanit, një tjetër provë pjekurie për Napolin e Antonio Contes. Në stadiumin “Maradona” vjen Atalanta e Gasperinit, e karikuar nga 4 fitore radhazi. Trajneri kryesues kërkon ta ruajë, ndoshta edhe të rrisë diferencën aktuale prej 6 pikësh nga ndjekësi më i afërt, edhe sepse javën e ardhshme do të duhet të rikthehet në Milano, kësaj radhe për të luajtur ndaj Interit.
Atalanta është një ekip i fortë, që fitoi Ligën e Europës sezonin e kaluar. Është ndër më të fortët në Serie A. E pashë me Arsenalin, duhet ta përgëzojmë. Meritat duhet t’i jepen Gasperinit, i cili në këto vite ka bërë një punë të jashtëzakonshme, e vlerësoj shumë. Atalanta është realitet, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos e nënvlerësojmë.
Si është Lobotka dhe si po e shfrytëzon momentin Gilmour?
Lobotka do të jetë gati për Interin, është në fazën përfundimtare të rikuperimit. Nuk kisha dyshime për Gilmour, ishte thelbësore që të mos mund t’i jepja më shumë minuta, por ka përpara një lojtar si Lobotka, i cili bën paraqitje të shkëlqyera. Polaku ka vite këtu dhe bën gjëra të mëdha.
A mendoni se Napoli është tashmë plotësisht në filozofinë tuaj?
Jemi ende duke punuar në progres, nuk mund të them që kam transmetuar gjithçka në vetëm 4 muaj. Grupi është në dispozicion dhe dëshiron të përmirësohet. Qëllimi ynë është të kthehemi në Kupat e Europës, përmes derës kryesore.
A do të ishte mrekulli fitimi i ndonjë trofeu këtë sezon?
Unë jam besimtar dhe praktikues, mrekullitë e futbollit kanë ndodhur në të kaluarën. Lutem gjithmonë që futbollistët e mi të jenë mirë, e them sinqerisht. Nga futbollistët te kuzhinierët po punojmë për të krijuar diçka të bukur, fundi i sezonit do ta tregojë çfarë meritojmë.
Sa rëndësi do të ketë Conte në zgjedhjet e ardhshme për Lukakun dhe Kvaratskhelia?
Këtu fiton ose humbet Napoli, nuk është se Conte fiton ose humbet. Është gabim t’i japësh kredi specifike një lojtari apo trajneri të vetëm. E përsëris se këtu ka ‘ne’, nuk dua të marr asnjë meritë për vete. Gjërat po shkojnë mirë, por kampionati është i gjatë.