Çorba e Zaevit

0

Nga Naser Pajaziti

Akoma mureve të shtëpive mund të hasësh në ndonjë mbishkrim “Jetë në Maqedoni!”, floskula propagandiste e Zoran Zaevit dhe partisë së tij në zgjedhjet e fundit, që i mori era dhe pluhuri.

Fitoren e tij e festuan kudo dhe të gjithë. E gjithë kjo u bë pasi që u zhbë fryma dhe ëndërra e keqe e një pushteti që kishte kapur gjithçka.

Zaevi u duk se zgjoi entuziazëm duke gëzuar edhe maqedonasin, edhe shqiptarin, edhe të varfërin edhe të pasurin. Por flladi i freskët që fryu nga ditët e para të qeverisjes së këtij politikani që erdhi në Shkup nga qyteti provincial Strumica, u shëndërrua në një furtunë e murtajë. Ai ofroi shumë përpara një populli të uritur dhe të katandisur pa para dhe në borxhe, ofroi shumë edhe për bizneset, komunitetet e margjinalizuara, edhe për kë mos tjetër.

Entuziazmi dhe pritjet siç duket nuk zgjatën shumë, sa që tani edhe adhuruesi më i flaktë i tij po lëkundet. Nuk ka sinjale për zgjidhje të çështjeve të rënda siç janë emri dhe integrimet euroatlantike, por nuk po realizohet as “parajsa” e premtuar sociale dhe ekonomike me rritjen e rrogave, ndihmave sociale, ulje të taksave, shlyerje të borxheve, etj.

Premtimet e flladit të ditëve të para ende janë në letër dhe tashmë vështirë e ka edhe Zaevi të arsyetohet. Sa më shumë po vonohet realizimi i tyre, aq më shumë po merr hov murtaja e ikjes masive të qytetarëve.
Po ikin edhe ata që iu premtua një vend pune sipas terkut partiak se do të bëhet pas zgjedhjeve. Janë zhgënjyer edhe ata administratorë të VMRO-së e BDI-së, që ndoshta u hamendën dhe me votën e tyre i dhanë një shans Zaevit.

Por kryeministri i sotëm në shoqërinë e një elite të harxhuar politike ende po kërkon kohë duke servirur çorbën e tij që djeg buzët.

Zaev po del se nuk është shpëtimtarë, reformator i mirë që mund të çojë vendin përpara, por ai ende po ruan frymën e fundit të famës së një politikani gjithëpopullor.

Komentet

komentet