Çun Lajçi: Shqiptarët po i thërrasin serbët me rrëzua Kurtin, ja kush po derdh lot buallice për veriun

Aktori dhe shkrimtari i njohur Çun Lajçi, ka thënë se janë shqiptarët ata, të cilët po i thërrasin serbët, për ta rrëzuar qeverinë e Albin Kurtit.

Ai ka hedhur akuza të rënda, duke thënë se “lot buallice” për veriun po derdhin ata që bëjnë biznes me Milan Radojçiqin e Goran Rakiqin, përcjell Bota sot.

Lajçi ka kritikuar edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, për të cilin ka thënë se ua ka hapur vegët serbët, për të çelë biznese në qytetet shqiptare.

Reagimi i Lajçit në Facebook:

Po martohemi fort e boll!

Po bajmë dasma e po i rrehim tupanat. Edhe pse, dorën n’zemër, as dasmat s’po janë qysh ishin as tupanat s’po kërcasin si dikur!

Jo, nuk po i prejnë dhitë, se rrallë kush po mban dhi sot, e lëkura dhishë s’po ka për tupana, si dikur. Po i mbështjellin me do najlona! Ndashtë more! Kujt po i bahet vonë për bubullimën e lëkurës së dhisë. Kryesorja bum-bum po bajnë, e kaq po na nevojitet me u çua e me hi n’valle!

Po! Prej dasmës po iu shkruej, se dasma sa të duesh. Madje nga dy dasma në nji sallë, mbrenda ditës. Po martohen djemtë, fort e boll e farën po e shtojnë sa po munden, ani se xhepi po harxhohet!

Njeni n’Prilep t’Deçanit, m’tha, n’qoftëse matët Kosova me dasma, atëherë i kemi punët tepër mirë!

Edhe me ryshfete, fajde e hajni po lulëzon Kosova!

Me këto katër sende i kemi punët mirë, e s’kemi pse mu ankue, se na vret Zoti.

Besa edhe me tregëti n’Veri e n’Jug, me serbët, i kemi punët fort mirë. Me rrjepë Kosovën kishim pasë ditë tana here. Edhe me i vra të dishmit, ata që ditën me na pri nëpër shekuj.

Mos e shtje pllugun fort thellë i thashë, se dukagjinasit dinë mirë me lavrue, e nuk ka nevojë me thye umin!

Rri urtë aman, se menjiherë m’thonë: Kqyre more ky artist hajvani, ku po çprushë e ku po kokoriset!

Njiherë buzëqeshi por shpejt i vrani vetullat!

Pse, a s’asht kështu a? M’tha e vazhdoi:

Kush po i thërret serbët, qata dhetë vetë, që janë n’ qeverisje, me rrëzua Kurtin?

Shqiptarët!

E cilët?

Qata që para tri vitësh banë miqasi me ta!

E kush po derdhë lot bullice për Veriun?

Qata që bajnë biznis me Radojçiqin e Rakiçin!

Rama ua ka hapë vegët serbëve. Ata kanë çelë biznise n’Shkodër, Tiranë, Berat…! Edhe dasma po bajnë atje, si na këtu.

Po martohen serbët me shqiptare e po kopilohet fara jonë, si n’kohën e Enverit me rus e kinez!

Ky pat me folë edhe shumë, por rrehen tupanat me najlona e nusja me dhandrrin, dolen me kcye!

Unë bërtita: Hapi dyert Rrahim Neziraj se t’kam ardhë me treqind krushq!

Prilep,(Deçan), 05.08.2022