Daçiq: Raportet Serbi-Mal i Zi janë shumë të këqija

0

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se marrëdhëniet midis Beogradit dhe Podgoricës janë shumë të këqija për shkak të miratimit të ligjit malazez për lirinë e fesë duke shtuar se kushdo që e pranon këtë ligj në Serbi e “tradhton vendin e tij”.“Ai që e toleron këtë ligj, e tradhton vendin e tij, por problemi është se këtu bëhet fjalë për qarqe interesi”, tha Daçiq për Radio-Televizionin e Vojvodinës.Ai hodhi poshtë akuzat e një grupi intelektualësh nga ish-Jugosllavia, të cilët, përmes një apeli, thanë se Beogradi po kërcënonte paqen dhe stabilitetin “në Malin e Zi dhe rajon”.
Në këtë apel i kërkohet komunitetit ndërkombëtar të dënojë fushatat politike, të kishës dhe mediave në Serbi.
“Asnjëherë nuk kemi thënë që duam që Mali i Zi të jetë i bashkuar me Serbinë, e as nuk kemi miratuar ndonjë akt që do të kishte ndonjë lidhje me marrëdhëniet e brendshme në Mal të Zi. Malazezët vazhdimisht pretendojnë se Serbia kinse dëshiron të jetë përsëri në të njëjtin shtet me Malin e Zi. Jo se ne nuk duam, por është një histori e mbaruar”, tha Daçiq, përcjell rel.
Ai deklaroi se Serbia ka shprehur pakënaqësinë e saj për miratimin e ligjit, për të cilin beson se ishte drejtuar kundër popullit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe, dhe u kërkoi autoriteteve malazeze që të zgjidhin problemin në paqe dhe dialog.
Mali i Zi miratoi Ligjin për Lirinë e Fesë, më 27 dhjetor 2019.
Ligji kundërshtohet fuqishëm nga Kisha Ortodokse Serbe, zyrtarë dhe një pjesë e opozitës në Serbi.