Daçiqi thotë se Serbia nuk ndal fushatën e çnjohjeve të Kosovës

0

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se vendi i tij nuk e ka ndalur fushatën e tërheqjeve të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Në një deklaratë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, Daçiq tha se Serbia as që do ta ndalojë këtë fushatë “nëse të tjerët nuk e ndalojnë fushatën e njohjes së Kosovës”.

Më herët, burime diplomatike në Bruksel u kanë thënë gazetarëve se Serbia ka pranuar ta pezullojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës “për t’i kontribuar atmosferës për rinisjen e dialogut për normalizim marrëdhëniesh” midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Si pjesë e vullnetit të mirë, për të krijuar një atmosferë të favorshme për vazhdimin e dialogut, palët në Beograd kanë rënë dakord që të mos vazhdojnë me këtë fushatë”, ka thënë një burim i lartë diplomatik i BE-së.

Një nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian që merret me procesin e dialogut ka thënë se fushata e Serbisë është një “çështje irrituese”.

“Duhet të krijojmë një atmosferë pozitive dhe jo të irritojmë njëri-tjetrin”, ka thënë ai. Për këto deklarata, ministri serb, Daçiq, tha se ka biseduar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Daçiq tha se ato janë një “gënjeshtër e madhe”.

“Serbia, tash e sa vite, e thotë publikisht se do të ndalojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës vetëm nëse të tjerët pranojnë të ndalojnë fushatën e njohjeve të Kosovës dhe të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Meqenëse kjo nuk ka ndodhur, Serbia nuk ka ndaluar me fushatën e çnjohjeve. Kur ata të ndalojnë, do të ndalojmë edhe ne”, tha Daçiq.

Numri i vendeve që kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës – e cila është shpallur në vitin 2008 – si rezultat i përpjekjeve diplomatike të Serbisë, nuk është i qartë./Evropa e Lirë