Ish-drejtori i Drejtorisë së Doganave të Maqedonisë së Veriut, Dragan Daravelski, do të kalojë vetëm një natë në burg, pasi i ka skaduar dënimi, për shkak të vjetërsimit të lëndës.
Daravelski i njohur si “Dallavera”, u arrestua sot në vendkalimin kufitar Tabanoc me Serbinë, me gjasë do të kalojë vetëm një natë në burgun “Idrizovë”, për shkak se i ka skaduar ekzekutimi i dënimit, shkruan “Fokus”, përcjell INA.
Ai ishte i dënuar me shtatë vjet burg për abuzime milionëshe gjatë kohës që ishte drejtor i Doganës, nga viti 1999 deri në vitin 2002, por pak vite më pas ishte arratisur në Serbi, ku deri më tani ka jetuar dhe vepruar me biznes në Beograd.
Ai gjatë kohës si ish-drejtor i doganës kishte dëmtuar buxhetin e shtetit me 2.5 milionë euro në periudhën 1999-2002. Sipas Kodit Penal, kanë kaluar 20 vjet nga kryerja e krimit dhe kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet që nga hyrja në fuqi e dënimit, që automatikisht do të thotë se Daravelski nuk do ta vuajë dënimin me burg, sepse ai ka skaduar, raporton ” Fokus”. (INA)