Darka në Dubai, akuza e Bashës: Kjo qeveri mendon vetëm për veten e saj

0

Kryetari i PD ka akuzuar për mungesë vëmendje të qeverisë në problemet e qytetarëve. Akuzën e bërë nga selia blu, Basha e bëri duke marrë shkas nga imazhet e një darke të ministrave në Dubai.

Me anë të një deklaratë për mediat nga selia e Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka hedhur akuza për ministrat e qeverisë Rama të cilët u filmuan duke darkuar në një restorant në Dubai.

Basha tha se në një kohë që qytetarët shqiptarë po përballen me përmbytjet, ministrat e kabinetit Rama darkojnë në restorantet më të shtrenjta si ai i Nusretit. Sipas kreut të PD, ky është skandali I radhës i kësaj qeverie, që sipas tij nuk mendon për qytetarët, por vetëm për veten e saj.

“Kjo është një qeveri që mendon vetëm për veten e saj. Mendon vetëm për paratë e saj jo për paratë e qytetarëve. Nuk ju intereson qytetari, nuk e kanë në listë qytetarin dhe kjo është arsyeja se pse shqiptarët edhe pas tërmetit, edhe gjatë pandemisë, edhe gjatë përmbytjes janë lënë në mëshirë të fatit, janë braktisur ndërsa qeveritarët e tyre darkojnë me fatura të kripura 1000 dollarë bifteku”, tha Basha.

Ndërkohë, në disa reagime për mediat në vend, disa nga protagonistët e darkës në Dubai kanë hedhur poshtë akuzat, duke thënë se kishin qenë aty me ftesë të kompanisë Emar, për të negociuar një investim të tyre në Shqipëri dhe çdo shpenzim ishte i mbuluar nga pala pritëse.