Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë pajtuar të martën për t’i adresuar faktorët “acarues” në marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe kanë nisur punën drejt dhënies fund të luftës në Ukrainë, ka thënë të martën Departamenti amerikan i Shtetit, duke e bërë të qartë se përpjekjet janë ende në fazat e para.
“Një thirrje telefonike, e pasuar me një takim, nuk janë të mjaftueshme për paqe të qëndrueshme”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, pas takimit që është zhvilluar në Riad të Arabisë Saudite dhe ka zgjatur mbi katër orë.
Mes tjerash, ajo ka thënë palët do të angazhojnë ekipe të nivelit të lartë për dhënie fund të luftës, sa më shpejt që është e mundur, “në një mënyrë që është e qëndrueshme dhe e pranueshme për të dyja palët”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, që ka udhëhequr delegacionin e SHBA-së, ka thënë se palët janë pajtuar edhe për të rivendosur stafin e ambasadave dhe që përveç diskutimeve për paqe në Ukrainë, ekipet negociatore do të promovojnë edhe bashkëpunim ekonomik.
Zëdhënësja Bruce ka thënë përmes një deklarate se presidenti amerikan, Donald Trump dëshiron t’iu japë fund vrasjeve.
“Shtetet e Bashkuara duan paqe dhe janë duke shfrytëzuar fuqinë e tyre në botë për t’i afruar shtetet së bashku. Presidenti Trump është lideri i vetëm në botë që mund të bindë Ukrainën dhe Rusinë që të arrijnë pajtueshmëri”, ka thënë ajo.
Sipas DASH-it, palët janë pajtuar për të vazhduar bashkëpunimin në çështje të interesit të përbashkët gjeopolitik, për mundësi ekonomike dhe mundësi për investime, që dalin nga përfundimi i luftës së Moskës në Ukrainë.
Çfarë tha pala ruse?
Yuri Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se takimi ka qenë i sukseshëm.
Ushakov ka thënë se palët janë pajtuar për kushtet e një takimi mes Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump.
Megjithatë, ai ka thënë se një takim mes dy liderëve nuk ka mundësi të zhvillohet javën tjetër, dhe se nuk ekziston një datë konkrete për takimin.
Shefi i Fondit Sovran të Pasurisë së Rusisë, Kirill Dimitriev, ka thënë se delegacionet ruse dhe amerikane kanë nisur ta dëgjojnë njëra-tjetrën, por është shumë herët për të folur për kompromise.
“Mendoj që është shumë herët për të folur për kompromise, mund të them se palët kanë nisur të komunikojnë me njëra-tjetrën, kanë nisur ta dëgjojnë njëra-tjetrën, e kanë nisur dialogun”.
Pala amerikane – që përbëhej nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, Këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Lindje të Mesme, Steve Wikoff – ka thënë paraprakisht se takimi i sotëm nuk ka të bëjë me nisje të negociatave, mirëpo për të parë nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë.
Pala ruse – e përbërë nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Yury Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin – ka thënë se prioritet do të ketë normalizimi i marrëdhënieve me SHBA-në.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është ftuar për të marrë pjesë në bisedime dhe ka thënë se Kievi nuk do të njohë asnjë marrëveshje të arritur për Ukrainën, kur Ukraina të mos jetë prezente në tavolinën e negociatave.
Zelensky aktualisht është në një vizitë në Lindje të Mesme, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Turqinë.
Kremlini: Putin do të bisedojë me Zelenskyn, ‘nëse është e nevojshme’
Teksa vazhdonin bisedimet, Kremlini ka thënë se presidenti Putin është i përgatitur për të biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, “nëse është e nevojshme”.
“Vetë Putin ka thënë se është i gatshëm të negociojë me Zelenskyn, nëse është e nevojshme”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov para gazetarëve.
“Megjithatë, duhet diskutuar bazën ligjore të marrëveshjeve, duke marrë parasysh që legjitimiteti i Zelenskyt mund të vihet në pikëpyetje”, ka thënë ai.
Zelensky është zgjedhur president më 2019 për një mandat pesëvjeçar.
Sipas ligjit, atij është dashur t’i skadojë mandati në maj të vitit 2024, mirëpo zyrtarët ukrainas kanë thënë se vazhdimi i luftës dhe shpallja e gjendjes së luftës e bëjnë të pamundshme mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Ligji i Ukrainës për gjendjen e luftës ndalon mbajtjen e zgjedhjeve lokale, parlamentare dhe presidenciale./Radio Eveopa e Lirë