Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka vazhduar mbështetjen për bujqit e Kosovës. Ai thotë se, dashnia ndaj atdheut tregohet edhe nga vetë fakti se sa e punojmë tokën.
“Ramizi nga fshati Pirq i Komunës së Mitrovicës më rrëfeu me kënaqësi se si djali i tij Jetullahi la Gjermaninë dhe u kthye për të mbjellë një hektar më shumë me pjepër pasi që sipas tij, më shumë fitohet me një hektar shtesë me pjepra sesa angazhimi i tij vjetor si punëtor krahu në Gjermani.
Së bashku me djalin dhe nipin, përcjellin brez pas brezi traditën shekullore të kultivimit të pjeprit. Aktualisht kanë të mbjellur 2ha me pjepër dhe 1ha me shalqi.
Nga ana tjetër Ramizi është tejet i lumtur me investimin e MBPZHR prej rreth 350 mijë eurosh në sistem të ujitjes gjë që do t’i mundësojë që vitin e ardhshëm ta implementojë ujitjen pikë-pikë në arën e tij e si rrjedhojë pret dhe rritje të rendimentit.
Ramizi mban me krenari plisin e bardhë edhe në këto ditë të nxehta vere, duke u përsosur kështu simbolin e burrit punëtor e atdhetar”, ka shkruar ministri. (INA)