shkruan: Çun Lajçi
Në cilin film e shikon?
Cili shkrimtar shkroi aq besnikërisht për dashurinë pa kushte të djaloshit, – si n’këngën – “Prej nji shpati ti lëshova sytë”!
Cili djalosh do të shkrihej sot nga rruzat në qafën e bardhokës, si ai çobani sylarëm që rrinte në lëndinën mes malit, duke e shikuar bardhokën syzezë – që i vezullonin rruzat në qafën e butë!
Cili do ta dashuronte sot aq zjarrtë, nga shpati tjetër, një vajzë kohe duke i kënduar: – “Prej një shpati t’i lëshova sytë,” – si ai ashiku me fyell në buzë, në rogën mes malit? *
Kjo këngë më solli vërdallë mbrëmë, kur një tjetër bukuri, një mendjehollë, artiste kënge dhe skene – Egli Tako, permetarja e rreshkur, eshkë për gacën e unurit, – po qante për një djalosh, të cilin, ose e kishin verbuar lotët e saj, ose ishte i mallkuar nga një lojë pa sens, pa shije, dhe tani s’po dinte ç’është dashuria!
Më përmalloi vajza me dashurinë pa kushte, tek largohej nga një show televiziv, sepse po injorohej nga djaloshi që kishte mësuar dredhitë e rrugëve dhe kujtonte se gjithçka është lojë e mund të lakohet e të thyhet si të dojë ai! Ai djaloshi tjetër mes malit, nga shpati ia lakmonte fytin, rruzat, gjoksin, faqet, ndërsa ky djaloshi i BB Albania Vip, po ia injoronte sytë si rrush, belin si hithër, buzët si qershi dhe po tallej: – “S’kam ndjenja!” Por, kur vinte nata, e thërriste: – “Eja, flijë me mua!”
Ka ndryshuar dashuria, thashë, kur m’u kujtua kënga: – “Kur t’i pashë rruzat në fyt, krejt prej mendjes jam habitë!” Sepse ky djaloshi i kohës ia puthte qafën dhe zinxhirin e arit, e pastaj tallej: – “Më trishtoi nishani yt!” Sa i pacipë! – thashë dhe ndjeva dhimbje për vajzën bukuroshe, që injorohej nga një djalosh, që di vetëm të zgërdhihet dhe të lëshojë pantallonat n’gjysmë të prapanicës! – “Kur t’i pashë rruzat në fyt, krejt prej mendjes jam habitë!
Kam çuar dorën allti me qitë, më shkoi mendja veten me mbytë!” Ah, çfarë dashurie, çfarë ashiku në kohën e shkuar dhe çfarë djali në kohën që po e jetoj akoma! Nga dhimbja e malli, mora sharkinë dhe këndova: – “Djali i dadës, mos u habit, se smutë jam kanë pesë javë ditë…” 08.03.2025