Dashuria nuk është mall që tregtohet lirë në pazar

0

Nga Arbër Çeliku/

Historikisht dashurisë i është kënduar këngë, i janë thurrur vargje, poezi… Njerëzit janë flijuar, kanë vuajtur dhe janë tretur për dashurinë. Dashuria është lumturi, shpresë, optimizëm. Ajo është vetë jeta.

Bota njeh më shumë histori të trishtuara se sa të gëzuara për dashurinë. Thënë shkurt, dashuria është diçka e përshpirtëshme, e shenjtë dhe hyjnore.

Megjithatë, kur ajo bëhet me rend, përndryshe po merr kontura aq të shpërfytyruara, sa bëhet e padurueshme dhe të çon drejt shkatërrimit fizik, mendor dhe shpirtëror. Sa e sa shpirtra janë shuar nëpër shekuj nga martesat e porositura, nga martesat e interesit dhe martesat sa për sy e faqe!

Dhe, të dalësh sot ta arsyetosh një martesë të këtillë në cilësinë e një filozofi, analisti a kleriku fetar, është cinizëm i pashoq, aq më tepër, të mbrosh një “dashuri” aq të panatyrshme, me gjysmë shekulli diferencë, është jo njerëzore dhe e turpshme, ose duhet të jesh më i prishur se vetë aktorët në fjalë. Por, kollaj duket te lëkura e tjetrit, kryesorja senzacioni të arrihet. Një pyetje kam për këta të moderuarit, se për beduinët do të flas në vazhdim: Përse ju nuk i martoni vajzat tuaja me pleq gjysmë shekulli më të vjetër se ato, por pyesni në shtatë nahi se çfarë djali është, si e ka sojin, a është i hajrit, etj. etj?!

Unë çuditem me këta intelektualët, që për një copë asht, pa fijen e turpit, dolën në mbrojtje të turpit të shekullit ndër ne, dhe aspak me beduinët, të cilët përmes këtij turpi, përpiqen të përfitojnë dhe ta çojnë misionin e tyre përpara.
Feja, përveç implikaturave fetare, bart në vete edhe traditë, doke, zakone dhe kulturë. Në asnjë mënyrë në nuk guxojmë ta përziejmë fenë me traditat arabe, sepse ne i kemi traditat tona. Nëse traditat arabe lejojnë martesa të këtilla, traditat tona i gjykojnë ashpër ato.

Shqiptari nuk e ka zakon të martohet me kaq diferencë moshe dhe as me gjakun e vet. Dhe kjo është një vlerë e ngulitur mirë në korpusin e traditave kombëtare, që asnjë beduin nuk ka për ta ndryshuar dot.
Unë jam krenar që i përkas fesë islame, por po aq krenar që jam shqiptar dhe do t’i ruaj me fanatizëm deri në frymën e fundit traditat tona kombëtare.