Daut Haradinaj: Na duhet një president burrështetas, Ramushi i duhuri

0

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, deklaroi se nuk sheh opsion tjetër për postin e presidentit përveç vëllait të tij dhe njëkohësisht kreut të partisë Ramush Haradinaj.

“Ne e kemi bërë një opsion dhe që besojmë se është i mirë. Kemi vlerësuar se president duhet të jetë një burrështetas, siç ishte rasti për formimin e ushtrisë. Presidenti duhet të garantojë sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit”, theksoi Daut Haradinaj, në RTV21.

Ai tutje tha se kur është në pyetje shteti, AAK-ja nuk i ka shikuar interesat partiake, andaj Ramush Haradinaj paraqet një figurë unifikuese.

Ai gjithashtu tregoi se a e ka kandidatura e Ramushit përkrahjen e partive të tjera politike.

“Jemi në bashkëpunim me partitë e tjera. Duhet të jenë 80 deputetë për ta votuar dhe jemi duke biseduar me të gjitha partitë politike në Kosovë”, u shpreh tutje.

Ai bëri të ditur gjithashtu se e ka marrë mbështetjen e një numri të konsiderueshëm deputetësh dhe se, siç tha ai, PDK-ja ia ka borxh votën për postin e presidentit.