Koordinatorja e grupit parlamentar të ASH-së, Ilire Dauti, tha se Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK) padrejtësisht po pengon mbi 20 mijë qytetarë që të pajisen me shtetësi të RMV-së, shkruan gazeta LAJM.
“Me shumë interes sigurisht e ndjekim problematikën e shtetësisë. Për fat të keq shifrat po dalin, u thanë edhe nga vetë kryeministri që janë shumë të larta. 20 mijë qytetarë që janë të bllokuar nga ana e Agjencisë e Sigurisë Kombëtare dhe shumë të tjera që më vonë kanë bërë kërkesat. Unë e kam thënë publikisht dhe po e them se ASK-ja nuk është në asnjë moment kompetent për të shqyrtuar ato persona që kërkojnë shtetësi në bazë të dispozitës kalimtare. Ajo dispozitë është shumë e qartë dhe thotë që të gjithë personat që janë jetuar në territorin e Republikës së Maqedonisë para 8 shtatorit të vitit 1991 mund të marrin shtetësi vetëm me njërin nga dokumentet nga lista prej 16 dokumenteve të paraqitura”, tha deputetja Ilire Dauti.
Më tej, ajo nuk përjashtoi mundësinë e bllokimit të Kuvendit, nëse vazhdon të problematizohet dhënia e shtetësive, edhe pas miratimit të ligjit të ri, vitin e kaluar.
“Ashtu sikurse prej fazës për propozim/ligjit për shtetësi që i kemi ndjekur të gjitha hapat dhe kemi vepruar konform momentit dhe situatave që janë krijuar edhe pas miratimit dhe këndej po ndjekim me vigjilencë dhe do të veprojmë sipas situatës që do të krijohen. Ne gjithmonë kemi qenë në anën e argumentit të fjalës. Mendojmë se fjala duhet të jetë e mjaftueshme si argument për të bindur të gjithë ato palë që pengojnë në një farë forme marrjen e shtetësisë. Megjithatë, në momentin që do të shohim se fjala nuk është e mjaftueshme do të veprojmë ashtu siç do të kërkojë moment”, tha deputetetja Dauti./Gazeta LAJM