Davutoglu pritet të përjashtohet nga AKP-ja e Erdoganit

0

Partia AKP e Rexhep Taip Erdoganit po punon që ta përjashtojë nga partia ish-kryeministrin turk Ahmet Davutoglu. Kjo u vendos në kryesinë e partisë, nën drejtimin e Erdoganit të hënën, raporton gazeta “Hürriyet”. Kohët e fundit Davutoglu është shprehur në mënyrë gjithnjë e më kritike për AKP-në nën Erdoganin. Ai e ka kritikuar partinë se po largohet gjithnjë e më shumë nga parimet e saj bazë. Ndër të tjera, ai kritikoi vendimin e Erdoganit, për përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar bashkie në Stamboll në mars. AKP-ja i humbi zgjedhjet.Në përsëritjen e imponuar të zgjedhjeve në qershor, kandidati i AKP-së u mund përsëri nga kandidati i opozitës Ekrem Imamoglu.Davutoglu kritikoi gjithashtu shkarkimin e disa kryetarëve prokurdë të bashkive në Turqinë lindore. Erdogani ka deklaruar vazhdimisht se nuk dëshiron të tolerojë “tradhtarë” në parti. Si të tillë, ai tani duket se shikon ish-bashkëluftëtarin e tij. Në Turqi ka kohë që spekulohet se Davutoglu dëshiron të krijojë një parti të re.Kohët e fundit, sipas mediave turke, planet janë bërë më konkrete. Edhe ish-zëvendëskryeministri Ali Babacan dhe ish-Presidenti Abdullah Gyl thuhet se kanë plane për të themeluar partitë e tyre.