De Biasi komenton gjendjen e kuqezinjve: Duhet gjetur forca për të filluar sërish ngritjen

0

Ish-trajneri i Kombëtares, Giani De Biasi, komentoi formën e Shqipërisë në këto momente, teksa theksoi se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, por Reja po kërkon të marrë më të mirën e ekipit.

Në një prononcim për “Pressing” në “Abc News”, De Biasi flet edhe për skemën e Rejës, por edhe për faktin se në Shqipëri nuk ka një kulturë për të pranuar edhe humbjen.

Çfarë po ndodh me Shqipërinë?

Nuk po ndodh asgjë, kemi fituar me Andorrën dhe Moldavinë. Tani kemi Islandën. Jam i bindur që Reja do bëjë më të mirën. Tani nis një rrugëtim shumë i vështirë, për të marrë fitoren dhe maksimumin.

Pse ka kaq shumë kritika pas çdo humbje të Shqipërisë?

Mungon një lloj kulture sa i përket situatave të tilla, kur edhe mundet ekipi, duhet mbështetur. Shqipëria nuk është ekipi më i fortë i grupit, dhe në bazë të ecurisë dhe problemeve, duhen kuptuar edhe rezultatet.

Mund të luajë Shqipëria 3-5-2 si skema e Rejas?

Nuk është problem sistemi i lojës apo moduli, se sa situata me të cilën lojtarët janë për momentin. Në kohën që unë drejtoja, një pjesë e lojtarëve kishin minuta në këmbë, në maksimumin e tyre. Ndoshta tani, një pjesë nuk ka minuta, dhe kjo ndodh. Ndoshta, edhe sistemi mund të ndryshohet.

Çfarë sugjeroni për Shqipërinë?

Nuk duhet menduar se kemi qenë në Euro 2016, por ka një fillim e një fund. Duhet gjetur fuqia, forca për të filluar sërish. Duhet të lini të qetë trajnerin për të punuar, ai ka kapacitete të mira dhe me potencial për Shqipërinë. Duhet të mbështesni këtë ekip edhe në momente të vështira, jo vetëm kur fiton. Mbi të gjitha, lojtarët duhet të mbajnë përgjegjësi në momente të veçanta për sa i përket performancës dhe pjesës së tyre në fushë.