Debati për reformën tatimore është në vijim, sektori i biznesit me reagime

Ministria e Financave ka përgatitur propozim koncept për reformën tatimore, e cila planifikohet të fillojë që nga viti i ardhshëm. Në vijim është debati me të gjitha palët e interesuara, por tashmë ka reagime nga sektori i biznesit, i cili mendon se në kohë krize energjetike dhe ekonomike nuk është momenti i duhur për reforma të tilla.
Baza e Konceptit të reformës tatimore është zgjerimi i bazës tatimore nëpërmjet disa ndryshimeve në tatimin mbi fitimin, tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi vlerën e shtuar, si dhe tatimimin e gjelbër. Këto aspekte, paraprakisht do të diskutohen dhe debatohen me të gjithë pjesëmarrësit shoqërorë. Nëse do të vendoset apo jo tatimimi progresiv do të jetë pjesë e debatit publik. Gjithashtu, do të punohet intensivisht në drejtim të uljes së ekonomisë gri dhe përmirësimit të shërbimeve në sektorin publik. Këto, ishin porositë e ministrit të Financave, Fatmir Besimi, në takimin me gazetarët me rastin e fillimit të diskutimit publik për reformat tatimore.

Koncepti i reformës tatimore bazohet në Strategjinë e reformës tatimore, i cili është proces afatgjatë, i planifikuar dhe i analizuar mirë, respektivisht pjesë e reformës së madhe fiskale për financa publike SMART ose financa publike të zgjuara.

Me përmirësimin e arkëtimit të të hyrave, do të sigurohen më shumë mjete për projekte zhvillimore në periudhë afatmesme, ndërsa në periudhë afatshkurtër do të ketë më shumë mjete për masa antikrizë dhe rimëkëmbje të ekonomisë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, ministri Besimi theksoi se Qeveria e RMV-së punon intensivisht mbi pakon e re të masave antikrizë, e cila do të prezantohet para opinionit publik.

Besimi theksoi se koncepti i reformave të politikës tatimore në fushën e tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi të ardhurat personale i referohet rishikimit të trajtimeve tatimore preferenciale që çekuilibrojnë neutralitetin e sistemit tatimor përmes favorizimit të kategorive të obliguesve tatimorë ose aktiviteteve. Kështu, ndikojnë negativisht në drejtësinë e tij dhe kontribuojnë në rritjen e pabarazisë në shoqëri.

“Tek tatimi mbi vlerën e shtuar nevojitet përforcimi i mëtejshëm i parimeve themelore të neutralitetit dhe konkurrencës, përmes reduktimit të listës së të mirave dhe shërbimeve për të cilat zbatohet norma preferenciale e tatimit, si dhe tatimimi i qarkullimit të caktuar. Gjithashtu, nevojitet precizimi i mëtejshëm i të drejtave dhe detyrimeve të obliguesve tatimorë në aspekt të së drejtës së zbritjes (heqjes) së tatimit paraprak, që do të mundësojë siguri më të madhe juridike për obliguesit tatimorë, efikasitet më të madh në zbatimin e kontrollit dhe në arkëtimin e të hyrave tatimore nga administrata tatimore”, tha ai.

Me reformat tatimore, gjithashtu do të arrihen disa qëllime sistematike, të tilla si zbatimi i “agjendës së gjelbër” dhe ballafaqimi me ndryshimet klimatike.

Para fillimit të debatit për draft reformën tatimore, sektori i biznesit kërkon përgjigje për katër pyetjet që dje publikisht i bëri të ditur kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski.

Nga Qeveria kërkohet përgjigje se deri ku janë procedurat për huamarrjen përmes eurobondit dhe linjës kreditore nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe çfarë është me kërkesat dhe propozimet nga Asociacioni Energjetik i Maqedonisë. Në pjesën për reformat tatimore, nga Oda vlerësojnë se duhet të ketë afate dhe kushte të sakta për të cilat shteti do të obligohet për shërbime më të cilësore ndaj sektorit privat, për heqjen e detyrimeve parafiskale dhe për uljen e ekonomisë gri.

“Këto ditë në Odë ka mbërritur draft-koncepti për reforma tatimore, i cili duhet të jetë bazë për një debat publik në periudhën e ardhshme. Pak e çuditshme, sepse prisja bisedime rreth propozimeve tona për problemin numër një, që është çmimi i energjisë elektrike. Normalisht, derisa nuk mbërrin draft-koncepti për reforma tatimore, kam shkëmbyer mendime edhe me përgjegjësit në Odë, të cilët sipas marrëveshjes më kanë bërë katër pyetje. Duke vlerësuar se këto pyetje janë me rëndësi thelbësore, para se të fillonte debati vendosa t’i parashtroj publikisht, sepse vetë propozuesi angazhohet për transparencë në këtë debat. Krahas tyre, reagimet fillestare kanë të bëjnë edhe për çështjet nga evazioni fiskal dhe çfarë po ndërmerret në këtë drejtim, duke sugjeruar që fillimisht të shfrytëzohen mundësitë e brendshme para se të hapet debati, që vjen në një moment jashtëzakonisht të vështirë për biznesin”, thotë Azeski në letrën e hapur për opinionin.

Propozimet e AEM për dalje nga kriza energjetike, siç thekson Azeski, kanë qenë të dedikuara për kompanitë dhe kërkojnë reagim urgjent dhe vendimtar të bartësve të politikave ekonomike për të shpëtuar sektorin real.

“A nuk është normale që në draft-konceptin për reforma tatimore të parashikohen edhe afate dhe kushte të sakta për të cilat shteti do të obligohet për ofrim të shërbimeve më cilësore ndaj sektorit privat; afate për digjitalizim të proceseve të saj, për heqjen e detyrimeve parafiskale, si dhe për uljen e ekonomisë gri dhe të korrupsionit? Gjegjësisht, biznesi pret një ofertë të zgjidhjes së pingpongut, që do të thotë se para se shteti të vendosë t’i rrisë tatimet duhet t’u dëshmojë taksapaguesve se është efikas, efektiv, transparent dhe ofron shërbime cilësore”, thekson Azeski.

Shteti, shton Azeski, ka nevojë për një marrëveshje ekonomike kornizë, për të cilën Kuvendi i Odës bën thirrje për konsensus dhe mbështetje nga të gjitha subjektet në shtet për zbatimin sa më të shpejtë të saj.

Ministri i Financave në takimin me gazetarët theksoi se bëhet fjalë për draft propozim dhe se debati është i hapur.