“Defender Europe 21” stërvitja grandioze e NATO-s në Shqipëri, përcjell mesazh të fuqishëm (VIDEO)

Në Shqipëri prej dje ka nisur stërvitja e madhe ushtarake e Aleancës Veriatlantike e quajtur “Defender Europe 21”.

Komandanti Suprem i NATO-s për Europën, njëkohësisht komandant i komandës së SHBA-ve në Europë, gjeneral Tod D. Wolters deklaroi se ky vend anëtar dinjitoz i Aleancës ka shpërndarë dhe shpërndan në rajon dhe në kontinent vetëm siguri dhe paqe. Ai shtoi se NATO nuk do të lejojë, që pandemia të shndërrohet në çështje të sigurisë, ndaj stërvitja po e sfidon pandeminë.

“Stërvitja “Defender Europe 21” angazhon mbi 30 mijë trupa ushtarake të gjithë llojeve nga mbi 25 shtete anëtare të NATO-s. Qëllimi është të koordinohen veprimet në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes së përbashkët. Ne sot jemi më të sigurtë se kurrë më parë, sepse bashkë jemi më të fortë” – tha gjen. Wolters.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se stërvitja është një mundësi e shkëlqyer për të provuar aftësitë profesionale, në drejtimin e NATO-s, e cila si garantja më e madhe e paqes sot në botë, ka mbështetjen maksimale nga populli shqiptar.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim tha se kjo është një ngjarje historike për rajonin dhe për angazhimin e Shqipërisë në NATO.

“Ne e njohim trimërinë tuaj dhe jemi të nderuar t’iu quajmë Aleatët tanë – iu drejtua ambasadorja Kim forcave shqiptare. – Roli i Shqipërisë në NATO – tha ajo – është sot më i rëndësishëm se kurrë; ajo mirëpriti më tepër pjesë të kësaj stërvitje se vendet e tjera në rajon, dhe qëndron krah për krah me NATO-n, SHBA-të me trupa të saj në një numër konfliktesh nëpër botë”.

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria dëshiron të jetë gjithmonë e më e denjë si dhe më e vlefshëm brenda Aleancës së vlerave më të larta të demokracisë. Kjo stërvitje, sipas tij, është një tjetër provë e rëndësishme për ngjitjen në pikën më të lartë të marrëdhënieve të Shqipërisë me NATO-n dhe SHBA-të.

NATO ka nisur në Shqipëri stërvitjen ushtarake “Defender 21” me mijëra trupa nga SHBA dhe vende të tjera anëtare të saj. Sipas përfaqësuesve të ushtrisë amerikane, kjo është stërvitja më e madhe në Ballkanin perëndimor qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Në të marrin pjesë mbi 30 mijë trupa nga 25 shtete, ku Shqipëria është pjesëtare dhe një qendër mikpritëse e saj.

Krahas përdorimit të gjashtë bazave detare, tokësore dhe ajrore, Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, do të angazhojë 1 mijë trupa. Shqipëria vlerësohet nga NATO si një një aleate e vendosur dhe një partnere e vlerësuar e sigurisë në nivel rajonal dhe global. Krahas Shqipërisë, në stërvitje marrin pjesë edhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, anëtarë të NATO-s; Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.(VOA)