Dehari në takim me afaristët e Kërçovës në diasporë

0

Kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, fundjavën e kaluar në Zvicër u takua me afaristë të suksesshëm me prejardhje nga Kërçova, të cilët punojnë në vendet perëndimore. Takimi u realizua me ftesë të shoqatave kulturore dhe humanitare të kërçovarëve të cilët jetojnë dhe punojnë në Itali, Francë, Gjermani, Austri dhe Zvicër. Nikoqir dhe organizator i këtij takimi ishte Shoqata “Kërçova”, në Zvicër. Dehari në këtë takim ishte i shoqëruar nga përfaqësues të administratës lokale, kryesisht nga resori ekonomik. Pjesë e këtij takimi kanë qenë edhe studentë nga Kërçova, të cilët studiojnë në ndonjë prej universiteteve të këtyre shteteve. “Qëllimi i këtij takimi ishte që Dehari t’ju jep informacione shtesë afaristëve kërçovarë, lidhur me kushtet të cilat duhet të plotësohen për të investuar në vendlindje. Ai ju tregoi se tërë administrata komunale është e gatshme të vihet në shërbim të çdonjërit i cili synon të investon në njërën prej dy zonave ekonomike me të cilat disponon Kërcova”, informojnë nga shërbimi për marrëdhënie me publikun të Komunës së Kërçovës. Mes tjerash në këtë kumtesë thuhet se Dehari ka theksuar se është i vetëdijshëm se çdo afarist kur mendon për investim të ri kërkon siguri, posaçërisht në vendet e Ballkanit. Po, ai para të pranishmëve si argument të fortë e ka përmendur faktin se Maqedonia e Veriut me qeverinë e re është në rrugë të mirë për t’i tejkaluar të gjitha pengesat. Dehari në këtë rast ka përmendur se vendi ynë shumë shpejtë do të bëhet anëtar i NATO-s, më së voni deri në pjesën e parë të vitit që vjen. Më pas ai ka shtuar se vijojnë bisedat me BE-në, të cilët për shkak të problemeve të brendshme të tyre janë prolonguar për në samitin e muajit maj, të cilin BE-ja pritet ta zhvillojë në Zagreb. Për çështje konkrete në këtë takim janë përgjigjur edhe përfaqësuesit e administratës lokale. “Takimi përfundoi në një atmosferë konstruktive dhe miqësore, në të cilën Dehari dërgoi apel konkret deri te studentët kërçovarë, të cilët studiojnë në ato vendet, që të kthehen në vendlindje pas përfundimit të studimeve, për arsye se edhe te ne pritet që punët në periudhën që vijon të ecin në drejtim të mirë”, potencohet në kumtesën e Komunës së Kërçovës.