Duke komentuar zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare dhe shpërthimin e luftës Izrael-Iran, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, për gazetën “Bota sot” thotë se pas zhvillimeve dramatike në frontin ukrainas dhe përshkallëzimit të konfliktit rajonal ndërmjet Izraelit dhe Iranit, është krijuar një realitet i ri gjeostrategjik që kërkon vëmendje të posaçme edhe për rajonin tonë.
“E quajtur shpesh ‘fuçia e barutit të Evropës’, Ballkani po hyn sërish në një cikël potencial të rrezikshëm, i cili mund të instrumentalizohet nga akterë të jashtëm, në veçanti Federata Ruse, për qëllime të saj strategjike. Në një kohë kur SHBA dhe BE janë thellësisht të angazhuara në dy skena madhore të krizës globale, Ukrainë-Rusi dhe Izrael-Iran, krijohet një vakum i rrezikshëm i vëmendjes ndërkombëtare mbi Ballkanin Perëndimor,” shprehet Shala.
Siç thotë ai, ky vakum, historikisht, është shfrytëzuar nga Rusia si një dritare e artë për të prodhuar tensione hibride, trazira të kontrolluara dhe ndarje të reja në kufijtë politikë dhe etnikë të rajonit.
“Rusia nuk e sheh më Ballkanin thjesht si zonë interesash tradicionale pansllaviste, por si një mjet taktik për të diversifikuar presionin kundër Perëndimit dhe për të testuar reagimet e aleancës transatlantike. Në këtë kuptim, Serbia përfaqëson mjetin kryesor operativ të Rusisë në rajon, me një aparat të sofistikuar politik, inteligjent dhe informativ që është thellësisht i influencuar nga qendrat e vendimmarrjes së Moskës,” shprehet Shala për “Bota sot”.
“Qytetarët e Kosovës, por edhe institucionet e saj të sigurisë, duhet të jenë jashtëzakonisht vigjilentë në këtë fazë të ndjeshme, sepse provokimet në veri, nxitja e konflikteve ndëretnike, apo përpjekjet për të ndërtuar narrativën e viktimës nga strukturat serbe ilegale, janë vetëm fillimi i një strategjie më të gjerë destabilizuese,” shton Shala.
Më tej, Shala thotë se Republika Srpska është kthyer në një bastion të ndikimit rus.
“Ne po shohim një aktivizim të fuqishëm të rrjeteve ruse nëpërmjet Kishës Ortodokse, mediave propagandistike, grupeve civile të maskuara dhe qendrave kulturore proruse në Beograd, Banja Luka dhe gjetkë, të cilat po përgatisin terrenin për tensione të reja. Në mënyrë të veçantë, Republika Srpska është kthyer në një bastion të ndikimit rus, ku udhëheqësit lokalë, nën ndikimin e drejtëpërdrejtë të Moskës, po artikulojnë hapur idenë e shkëputjes, duke kërcënuar integritetin e Bosnjës dhe më gjerë stabilitetin e rajonit,” shpjegon Shala, sipas të cilit, Kosova mbetet caku kryesor.
“Ndërkohë, Kosova mbetet objektivi kryesor, për shkak të rëndësisë së saj gjeopolitike si një histori suksesi e aleancës perëndimore në zemër të Ballkanit. Një destabilizim në veri të Kosovës, do të përbënte një humbje serioze për NATO-n, BE-në dhe SHBA-në, dhe pikërisht për këtë arsye, Rusia është e interesuar që ta minojë këtë realitet politik dhe të ringjallë narrativat e konfliktit të ngrirë.”
“Në këtë situatë, kërkohet unitet kombëtar, koordinim i plotë institucional dhe komunikim i ngushtë me aleatët tanë strategjikë. Çdo neglizhencë ose iluzion se kjo është një ‘lojë e brendshme serbe’ do të ishte fatale. Duhet të kuptojmë se ne jemi pjesë e një loje shumë më të madhe, ku Ballkani është vetëm një nga fushëbetejat e zgjedhura nga Rusia për të sfiduar rendin ndërkombëtar,” thekson eksperti Shala.
Për fund, Shala kërkon unitet në Kosovë, pasi sipas tij, tashmë rreziku është real dhe afatshkurtër.
“Unë u bëj thirrje të gjitha institucioneve të sigurisë në Kosovë dhe rajon, që të shqyrtojnë me serioz sinjalet e hershme të një krize hibride, të rrisin kapacitetet e zbulimit dhe kundërzbulimit, të monitorojnë aktivitetet propagandistike dhe të jenë të gatshme për të vepruar me shpejtësi dhe precizion. Në të njëjtën kohë, është jetike që edhe partnerët ndërkombëtarë të rrisin praninë, sinjalet e angazhimit dhe gatishmërinë për të mbështetur vendet e rajonit, në mënyrë që të parandalohet çdo skenar i destabilizimit të Ballkanit Perëndimor. Nuk ka më kohë për iluzione – rreziku është real dhe afatshkurtër. Por me vizion të qartë strategjik, unitet institucional dhe koordinim me aleatët, Ballkani mund të qëndrojë në paqe dhe të mos bëhet viktimë e një loje të ftohtë që nuk ka asgjë të re – veç emrave të aktorëve,” përfundon për “Bota sot”, Drizan Shala, PhD dhe ekspert i sigurisë./BS