Deklaratat e Shefqet Krasniqit, reagon ashpër Jusuf Buxhovi: S’duhet me i lënë me dal në media!

Historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, përmes një postimi në Facebook ka komentuar deklaratat e fundit të mbrëmshme të Shefqet Krasniqit për gratë.

Buxhovi shkruan se në një shtet laik, siç është Kosova, klerikëve nuk duhet t’u lejohet hapësirë mediale, ku bëhet thirrje e hapur për diskriminim gjinor. Ai madje shkruan se meqë kushtetuta mbron të drejtën e lirive fetare si dhe përcakton vendin e klerit në shoqëri, prokurori i shtetit duhet të veprojë menjëherë.

Ja shkrimi i plotë: Kur Klerikët bëjnë politikë, ndërsa politikanët dua!

Në një shtet laik, siç është Kosova, klerikëve nuk duhet t’u lejohet hapësirë mediale, ku bëhet thirrje e hapur për diskriminim gjinor, dhunë në familje, ku madje, edhe identiteti nacional kërkohet të zëvendësohet me atë fetar! Meqë kushtetuta mbron të drejtën e lirive fetare si dhe përcakton vendin e klerit në shoqëri, prokurori i shtetit duhet të veprojë menjëherë aty preket kodi kushtetues si dhe sistemi i vlerave mbi të cilin mbështetet shoqëria e lirë dhe demokratike. Pse gjyqësori nuk ka vepruar deri më tash në këtë frymë, fajin duhet kërkuar te pjesa madhe e politikanëve, që për interesa meskine, jo rrallë para elektoratit përdorin gjuhën e klerikëve, ndërsa klerikët, pse jo, në kuadër të këtyre raporteve, në jetën publike, veçmas nëpër studio televizive, bëjnë politikë!

Hoxha Shefqet Krasniqi, i pyetur se a ka diskriminim në fe për gratë thotë se ‘oda’ për shembull ‘është për burra’. ‘Në fe nuk ka diskriminim, oda o vëlla është për burra, unë sun e nxa vendin e grave as gratë sun e nxajnë vendin e burrave’, ka thënë Krasniqi. ‘Kuzhina është për gra, jo vallahi nuk është për burra, kush gatunë në shpi tane?’, ka thënë ai.