Del skandali, ja kë ka bërë miliarderë qeveria e Ramës (FOTO)

0

Kriza ekonomike që goditi Shqipërinë pas vitit 2009 ka bërë jetën të vështirë për sipërmarrjen duke cuar në mbylljen e shumë bizneseve.

Por ka një industri, që ndryshe nga të tjerat në vitet e fundit ka lulëzuar me ritme të paprecedenta e ushqyer nga dëshpërimi ekonomik i familjeve shqiptare, por edhe politikat e qeverisë. Ajo është industria e bixhozit.

Top Channel publikon shifrat zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit që tregojnë se në pesë vitet e fundit numri i pikave të basteve është katërfishuar. Më konkretisht, nëse në maj të vitit 2013 në të gjithë Shqipërinë numëroheshin 928 pika bastesh, në maj të këtij viti numri i tyre ka shkuar gati në 4 mijë.

Kjo ka bërë që aktualisht në Shqipëri të ketë një pikë basti për cdo 720 banorë, kur dikur raporti ishte 1 pikë për 2580 banorë

Përhapja e vrullshme e industrisë së kumarit nuk ka prekur vetëm bastet sportive. Rritja ka shënuar edhe numri i kazinove elektronike nga 112 që ishte në vitin 2013 në 140 të tilla aktualisht.

Pjesa dërrmuese e industrisë së kumarit në Shqipëri, veçanërisht ajo e kazinove elektronike zotërohet nga të huajt si austriaket novomatic dhe apex. Sipas të dhënave nga tatimet gati 60 për qind e gjithë pikave të kumarit në Shqipëri janë me pronësi të huaj, çka do të thotë se paratë që shqiptarët lënë në kumar shkojnë si fitime për kompani jashtë shtetit.

Biznesi i kumarit vazhdon të prodhojë fitime marramendëse duke lënë pas kosto të mëdha sociale për familjet shqiptare. Për t’u dhënë fund këtyre kostove në tetor të vitit 2013, vetëm një muaj pasi kishte ardhur në pushtet qeveria premtoi kufizimin dhe madje mbylljen për fare të industrisë së kumarit.

Në atë kohë qeveria autorizoi dhe një operacion të gjerë policor kundër kumarit. Por siç tregojnë të dhënat nga QKR, e gjitha rezultoi një farsë. Në vend të mbylljes së kumarit, ajo që ka ndodhur është zgjerimi i tij në përmasa të frikshme, katër herë më shumë se në 2013-ën.