Një delegacion i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane i kryesuar nga kryetari i saj, ish-kongresisti Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi ka qëndruar për vizitë në Kosovë.
Pjesë e delegacionit ishin edhe veprimtarët e njohur dhe njëherit anëtar të bordit të LQSHA-së: Nazim Alimi, Mamut Skenderi, Zikri Meta, Agim Aliçkaj, Rifat Memeti, Ekuran Shehu, Naser Berisha, Marash Nuculaj, Lorenc Stefa dhe të tjerë.
Pjesë e këtij turneu isht edhe Instituti “Yad Vashem” nga Izraeli, e cila erdhi në Kosovë në shenjë faleminderimi për shpëtimin e familjeve hebrenje nga shqiptarët gjatë Holokaustit, dhe për inaugurimin e “Murit të Nderit” në shenjë kujtimi për gjithë ato familje që bënë aktin fisnik të shpëtimit të hebrenjëve gjatë periudhës së nazifashizmit. Pjesë e rëndësishme e kësaj vizite është përfaqësuesi i LQSHA në rajon, Faton Bislimi si dhe Lekë Rezniqi nga Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael.
Delegacioni i LQSHA në ditën e parë të vizitës u prit nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili përmes një ceremonie zyrtare i dha “Çelësin e Qytetit”, Joe DioGuardit në shenjë nderimi të këtij personaliteti dhe lobisti shqiptar.
“Është nder që nuk shprehet me fjalë të jap “Çelësin e Qytetit” për miqtë e shqiptarëve, Joseph John DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi të cilët bënë aq shumë për çështjen shqiptare. Dyert e Kryeqytetit janë të hapura gjithmonë për ju ashtu siç ishin zemrat e juaja për ne!”, theksoi Rama.
Ditën e djeshme delegacioni i LQSHA ishte në inaugurimin e “Murit të Nderit” dhe më pas konferencën shkencore me temën që kishte të bëj me shpëtimin e hebrenjëve nga shqiptarët në Kosovë gjatë Holokaustit, ku u dëgjuan fjalime dhe mirënjohje nga personalitete të shquara të diplomacisë amerikane si dhe familjarë të të mbijetuarëve.
Delegacioni më pas u prit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e jashtme, Donika Gërvalla, ku u vlerësua kontributi i LQSHA dhe diasporës shqiptare, por u kërkua shtimi i përpjekjeve për afirmimin e shtetit të Kosovës. Kryeministri Kurti tha se kontributi i Lobistëve shqiptaro-amerikan është shumë i rëndësishëm dhe se ka qenë faktor i rëndësishëm në formësimin e aspiratave të shtetësisë së Kosovës.(INA)