Dëmet nga tërmeti në Turqi mbi 100 miliardë dollarë

Dëmet e shkaktuara nga tërmetet katastrofike në Turqi në fillim të shkurtit arritën në shifrën 103.6 miliardë dollarë, që është rreth nëntë për qind e GDP-së së parashikuar për vitin 2023, njoftoi sot Ministria e Financave në Ankara.

Kjo shumë është gjashtë herë më e madhe se dëmi i shkaktuar pas tërmetit të Marmarasë në vitin 1999.

Pjesa më e madhe e dëmeve, 54,9 për qind, janë shkaktuar në objekte banimi në vlerë prej 56,9 miliardë dollarësh, raporton portali i kanalit turk “NTV”.

Dëmet në infrastrukturën publike dhe objektet e shërbimeve janë 12.9 miliardë dollarë, ndërsa dëmi në sektorin ekonomik është 11.8 miliardë dollarë.

Kjo shifër përfshin dëmet e shkaktuara në energji, turizëm, shëndetësi, arsim dhe sektorë të tjerë. Në Turqi, si pasojë e tërmetit të 6 shkurtit, vdiqën pothuajse mbi 50 mijë njerëz.(INA)