Demiri: BDI-në dhe Qeverinë e LSDM-së nuk e amneston dorëheqja e Asim Musës

0

Nënkryetari i Lëvizjes BESA, Abdush Demiri në rrjetin social Facebook ka reaguar në lidhje me skandalin e zv/Ministrit të Shëndetësisë, Asim Musa. Demiri thotë se me dorëheqje u zgjidh krimi dhe korrupsioni por ai me dorëheqjevetëm se e dëshmoi fajësinë.

Ja reagimi i plotë:

“BDI-në dhe Qeverinë e LSDM-së nuk e amneston dorëheqja e Asim Musës.

Nuk do të thotë se me dorëheqje u zgjidh krimi dhe korrupsioni. Me dorëheqjen ai vetëm se e dëshmoi fajësinë.

Rasti për Musën do të jetë i përfunduar atëherë kur për veprat e tij do të ketë ndëshkim përkatës ligjor.

Por cila është fatkeqësia në këtë fatkeqësi e Asim Musës. Ky rast dëshmon faktin se kjo Qeveri funksionin si parimi “peshku i madh e ha të voglin”. Me këtë dëshirojmë ti rikujtojmë pushtetit të kriminalizuar se me një dorëheqje të “peshkut të vogël” nuk është mbuluar krimi dhe korrupsioni i “peshqive të mëdhenj” të pushtetit.

Pse, sepse opinioni ende nuk e ka harruar rastin e sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë “Rashkovski” për kurdisjen e tenderëve”, nuk ka harruar skandalin e përfshirjes të të afërmve të kryeministrit Angjushev në tenderët e shtetit, as edhe të përfshirët e LSDM-së në rastin “Reket”, por edhe në shumë skandale tjera.

Opninioni nuk do të harrojë as skandalin e fundit të ministres Radmilla Shekerinska dhe Fatmir Besimit për ndikim në KSHZ. Rast i cili dëshmon flirtin e BDI-së edhe me LSDM-në në kohën kur ka qeverisur me VMRO-DPMNE-në.

Andaj, vlerësojmë se ky pushtet e ka humbur kredibilitetin për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

Për këtë arsye Franca dhe partnerët tjerë evropain kanë mëdyshje për datën për negociata për Maqedoninë e Veriut.

Lufta për krim dhe korrupsion tani ka dështuar, ajo do të fillojë atëherë kur në pushtet do të jenë njerëz të panjollosur dhe të pastër. Kjo ditë do të vijë së shpejti!”, ka përfunduar Demiri.

Ndryshe sot pas skandalit të publikuar në media për marrje të rryshfetit të zv/Ministrit të Shëndetësisë, ai sot ka dhënë dorëheqje.