Dënohet shqiptari, si bashkëpjesëmarrës në vrasjen e të riut në St.Gallen

29-vjeçar kosovar nuk bën pjesë ndër të dyshuarit kryesorë, por edhe ai ka qenë pjesë e mosmarrëveshjes vdekjeprurëse.

Në fund të shtatorit të vitit të kaluar, në rrugën Bahnhofstrasse të St. Gallenit pati shpërthyer një debat fatal. 20-vjeçari R.B.* kishte mbetur i plagosur aq rëndë sa ka ndërruar jetë në spital pak ditë më vonë. Pesë veta ishin arrestuar menjëherë pas kësaj dhe janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.

Njëri nga të përfshirët tashmë është dënuar. Fjala është për një 29-vjeçar kosovar i cili nuk bën pjesë ndër të dyshuarit kryesorë, por edhe ai ka qenë pjesë e mosmarrëveshjes vdekjeprurëse.
Tre burra, përfshirë R.B., ishin jashtë me të dashurat e tyre në atë kohë. Një luftë fjalësh kishte shpërthyer mes njërit prej të rinjve dhe të dashurës së tij, shkruan 20minuten.ch Këtu kishte ndërhyrë kosovari.

Ai dhe tashmë i vdekuri kanë filluar të zihen me fjalë me njëri-tjetrin, transmeton albinfo.ch. Më pas kosovari është larguar, por më vonë ai është kthyer me dy shokë.
Kjo çoi në një përleshje mes gjashtë personave. 29-vjeçari ka goditur me grusht njërin nga kundërshtarët e tij në fytyrë.

R. B., viktima e mëvonshme, më pas është larguar në drejtim të shkurreve në oborr dhe është ndjekur nga dy shokët e 29-vjeçarit. Sipas urdhrit penal, ai është futur në një gardh me thumba të mprehtë. Aty ai është plagosur në ijë dhe ka humbur shumë gjak. Për pasojë ai ka vdekur në spital.

Kosovari, me precedentë penal, tani është dënuar me gjobë me kusht prej 60 njësish ditore prej 80 CHF (4800 CHF) dhe gjobë prej 960 CHF për përleshje dhe tentatim lëndimi të thjeshtë trupor, përcjell albinfo.ch. Përveç gjobës, ai duhet të paguajë edhe tarifa për mbrojtjen zyrtare dhe shpenzime të veçanta. Në përgjithësi ai duhet të paguajë 6652 franga.

Është ende e paqartë se kur do të zhvillohet gjyqi ndaj pjesëmarrësve të tjerë. “Janë disa procedura në pritje,” thotë Beatrice Giger, zëdhënëse në zyrën e prokurorit publik të St. Gallen. Duke qenë se procedurat janë duke vazhduar, nuk jepen detaje të tjera. Kundër urdhrit penal mund të ushtrohet ankesë./albinfo