Deponia Bukovës në Ohër vazhdon të shqetësojë banorët e këtij qyteti. Kjo deponi shpesh digjet, ndërsa gati gjithë kohës nxjerr tym.
Si zgjidhje shihet deponia regjionale e cila është paraparë të ndërtohet në Novaci, por projekti ende nuk është realizuar edhe pse ka kohë që flitet.
Kryetari i Komunës së Ohrit Kirill Pecakov pret që deponia të fillojë të ndërtohet në pranverë dhe të jetë gati për 4 deri në 5 vite.
“Në atë mënyrë do të kemi kontroll më të lehtë, kryesisht problem më të vogla me djegien e deponisë, ndezjen e deponisë dhe tymin që lëshon gazra të dëmshëm në rrethinë dhe kjo është diçka që duhet ta bëjmë pavarësisht procesit. Përreth deponisë normalisht që do të vazhdojnë të hedhin mbeturina për shkak se aty është vendi ku hidhen, megjithatë këto 2 milionë dhe 1 milion në vitin e ardhshëm do ta zgjidhim atë problem”, tha Kirill Pecakov- kryetar i komunës së Ohrit.
Për këtë problematikë përveç banorëve reagojnë edhe organizata për ndotjen e ambientit. Nga Organizata O2 i thanë TV21 se deponia e Bukovës në afërsi të Ohrit dhe Prespës është shpesh në flakë dhe tym. UNESCO tashmë në 2017 ka kërkuar që deponia në Bukovë të mbyllet dhe të riparohet deri në dhjetor 2020, por jemi në vitin 2025 dhe ende nuk është ndërmarr asgjë.
“Shumë herë kemi kërkuar që të zgjidhet ky problem, sidomos me djegien e deponisë, derisa të mbyllet. Por nga komuna kanë gjithmonë të njëjtën përgjigje, nuk mundemi asgjë, vijnë e djegin. Ka një lloj shtëpize me roje, por edhe ai është i frikësuar, rri i vetmuar atje lart. Shembull kemi deponinë në Kavadar se si duhet të veprohet, derisa të mbyllen këto deponi dhe të hapen deponia rajonale dhe për të cilat do të duhet të presim, ende nuk janë shpallur tenderë“, thonë nga Organizata Ekologjike O2.
Problem me deponitë kanë edhe Struga e Kërçova, ndërsa si zgjidhje të vetme shohin deponinë regjionale në Novaci në afërsi të Manastirit.